BallinaKryesore“Xhaferri ishte i fiksuar pas meje”, rrëfimet e Mario Kempes: Rrugët e...

“Xhaferri ishte i fiksuar pas meje”, rrëfimet e Mario Kempes: Rrugët e Shqipërisë, të mbushura me njerëz që rrinin kot

spot_img
spot_img

Mario Kempes do të mbetet padyshim emri më i bujshëm mes trajnerëve të huaj që kanë drejtuar në Shqipëri. Ish-futbollisti mori drejtimin e Lushnjës para shpërthimit të trazirave të vitit 1997, e siç tregon vetë në autobiografinë e tij, “Matadori”, për shkak se Pëllumb Xhaferri ishte i fiksuar pas kampionit të Botës me Argjentinën

Një rrëfim të cilin “Panorama Sport” e sjell më poshtë me detajet e firmës të asaj që për shumë kohë do të cilësohej si një lëvizje e bujshme jo vetëm nga mediat shqiptare.

KAPITULLI PËR TRANSFERIMIN TE LUSHNJA
“Pas kthimit në Belle Ville, pasi kisha mbushur 42 vjeç dhe më këpucët e varura në dollapin tim, dëshira për të vazhduar duke drejtuar ekipe u ringjall me një tjetër propozim ekstravagant: të drejtoja një ekip në Shqipëri, shteti më i varfër në Europë. Edhe një herë tjetër m’u desh t’i drejtohesha hartës për të mësuar ku gjendej ky shtet. Si erdhi kjo ofertë e çuditshme?

Një person i quajtur Pëllumb Xhaferri – djali i një manjati financash, Rrapush Xhaferri, i cili administronte shuma të mëdha parash dhe një lotari e cila quhej “loja e piramidave”, një menaxhim i ngatërruar i cili u ofronte personave të përfshirë interesa përrallore për paratë e tyre, sikur të ishte magji – ishte pronar i një ekipi të kategorisë së parë, KS Lushnja, e cila luante në qytetin e Lushnjës, rreth 80 kilometra larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Për të rritur imazhin e klubit, Pëllumbi ftoi një menaxher, Maurizio Montali dhe i kërkoi që t’i propozonte katër apo pesë emra trajnerësh të huaj. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që një klub shqiptar të kishte trajnerë të huaj. Ai i propozoi opsione të ndryshme, mes të cilave edhe timen. Pëllumbi më zgjodhi menjëherë, i emocionuar që mund të bashkëpunonte me idhullin e tij te Argjentina e Botërorit 1978. Siç më treguan kur shkova atje, ky tipi më adhuronte.

 

 

Udhëtova me vëllain tim, Hugon, i cili më shoqëroi si përgatitës atletik. Fillimisht u vendosëm në një hotel në Tiranë dhe të nesërmen udhëtuam drejt Lushnjës në një Mercedes Benz luksoz që drejtohej nga një djalosh shumë i ri me të cilin komunikonim në një italishte fillestarësh. Shumë shqiptarë flasin pak italisht për shkak të afërsisë gjeografike të dy vendeve. Për të përshkruar 80 kilometrat na u desh të bënim rreth dy orë udhëtim, për shkak të gjendjes shumë të keqe të rrugëve, të mbushura me pellgje uji, praktikisht të shkatërruara, në të cilat ndeshëm shpesh barinj me tufa me dele apo lopë, si dhe karroca të tërhequra nga gomerë.

Sapo mbërritëm, në stadiumin e quajtur “Abdurrahman Roza Haxhiu”, surpriza e parë ishte se pashë tribunat e mbushura me njerëz. Dy apo tre mijë njerëz ishin mbledhur për të parë stërvitjen e parë. Në këtë moment me shpjeguan se në Shqipëri kishte një lloj “virusi” nga skemat financiare për shkak të interesave të larta. Të gjithë jetonin me të ardhurat nga interesat dhe asnjë nuk punonte. Entuziazmi nga fitimet e siguruara lehtësisht kishte shtyrë shumë familje të bënin budallallëkun që të shisnin shtëpitë e tyre dhe të hidhnin të gjitha paratë që kishin në këto lloj skemash pa u menduar, pasi premtonin fitime astronomike. Rrugët dhe lokalet ishin gjithmonë të mbushura me njerëz që rrinin kot. Me kaq shumë kohë të lirë, shumë prej tyre përfitonin nga çdo lloj mundësie për t’u argëtuar, për shembull, të shkonin të shihnin stërvitjen e parë të trajnerit të ri argjentinas…”./Panorama Sport

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular