Përmes një prononcimi për media nga ambientet e jashtme të selisë blu, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Gazment Bardhi, u ndal te publikimi i pamjeve që demostrojnë manipulimin e referendumit të Berishës në Degën e PD-së, në lagjen e kryedemokratit Basha.
Bardhi u shpreh se në këtë degë numri i përgjithshëm i anëtarëve është 1200, teksa nga 12-orë filmime nga kamerat në vendin ku u zhvillua referendum, u pa të futeshin në qendrën e votimit 117 persona, më pak se 10%, dhe jo 760 siç u deklarua nga rezultatet e Komisionit të Rithemelimit.
“Sali Berisha po përpiqet t’i imponohet me dhunë dhe me një retorikë përçarëse vullnetit të shumicës dërmuese të demokratëve. Ajo që Sali Berisha përpiqet t’i imponojë qytetarëve janë mashtrime të përditshme. Shpikja dhe thirrja për një protestë kombëtare në selinë e Partisë Demokratike se aty po lyhen muret. Kjo protestë ka vetëm një qëllim të bunkerizojë Partinë Demokratike, ashtu siç është bunkerizuar Sali Berisha dhe familja e tij nga SHBA. Çdo demokratë ka parë si firmat e delegatëve u mbyllën në kasafortë, u tha se firmat do të hapeshin më 11 dhjetor dhe atë ditë në fakt në vend të transparencës u mbyllën dyert jo vetëm për këdo që donte të bënte verifikimin, por u lanë jashtë dhe përfaqësuesit e medias.
Mirëpo duke qenë se faktet kanë dalë fal mediave, të cilat desha dhe t’i falenderoj, tek dega që Sali Berisha përdori si triumfin e tij, lagjen e Lulzim Bashës, sot çdo shqiptar dhe demokrat ka parë se si nga 117 anëtarë nga rreth 119 individë që kanë hyrë brenda ambienteve, rezultati doli se kishin marrë më shumë se 760 anëtarë të Partisë Demokratike. Të gjithë mund të shikojnë nga pamjet e 12 orë xhirime se nga 1200 anëtarë që ka dega kanë marrë pjesë 117 anëtarë, më pak se 10%. Faktet tona të tilla ne i kemi për çdo degë të Partisë Demokratike, por kemi vendosur të heshtim për shkak të interesave të Partisë Demokratike. Kur ky proces është deformuar në këtë mënyrë në mes të Tiranës imagjinoni çka ndodhur në çdo cep të Shqipërisë”, tha Bardhi.