Janë kthyer në shtëpi 4 të arrestuarit për nxjerrjen e listave me pagat e Janarit dhe Prillit të 2021. Edhe punonjësit e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë Civile që i shitën të dhënat, edhe ata që i blenë dhe i keqpërdorën, përfituan një masë të butë nga gjykata, meqënëse pranuan të rrëfejnë si dhe pse i nxorrën këto të dhëna nga serveri i Tatimeve.
Fabula sot është zbardhur. Eni Qirjako i shkarkoi të dhënat në kompjuter dhe ia kaloi kolegut Andi Agaraj. Ky ia shiti Klodian Sotës dhe Endri Ikonomit, të cilët i përdorën të dhënat për kompanitë e tyre të kredive.
Historia është provë e degradimit të institucioneve shtetërore nga korrupsioni dhe të masakrës që bëhet me të dhënat personale nga të punësuarit në shtet. Investimet qindra miliona euro që garantojnë sigurinë e të dhënave personale u zhbënë për vetëm 200 mijë lekë të vjetra. Kaq u ble lista e pagave, që u nxorr nga serveri i Tatimeve.
Do të kishte qenë një episod banal për t’u harruar brenda tre ditëve, një skandal nga ato që prodhon çdo ditë korrupsioni i administratës shtetërore, sikur prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj të mos u kishte thënë gazetarëve se e njëjta dorë që nxorri pagat, nxorri edhe të dhënat e qytetarëve për patronazhistët.
Në këtë moment, lista e pagave u shndërrua në një mjet, që mund të çojë në zbulimin e mekanizmit që keqpërdor të dhënat personale në interes të socialistëve.
Por pak ditë më parë në media u përhap një teori tjetër, sipas të cilës listat e pagave u shpërndanë nga njerëz të lidhur me shërbimet ruse.
Lajmi, që bën diferencën mes skandalit të patronazhistëve me atë të pagave, mori menjëherë hapësirën kryesore në mediat tona, duke qenë se Endri Ikonomi, personi që kishte blerë të dhënat punonte në kompaninë Credit 2 All, në pronësi të një miliarderi rus.
Si të dirigjuara nga e njëjta dorë, edicionet informative të televizioneve kryesorë në vend u mbushën me foton e oligarkut rus, të quajtur Oleg Viktorovich Boyko. Jetëshkrimi i 57-vjeçarit kapi titujt kryesorë të lajmeve, ku raportoheshin pasuri prej miliarda eurosh dhe lidhje okulte me shërbimet ruse.
Pak rëndësi pati fakti se të arrestuarit ishin rrëfyer tashmë se listën e pagave e paguan me vetëm 200 mijë lekë të vjetra nga punonjësja e AKSHI-t dhe e Tatimeve. Pak rëndësi pati se në dosje thuhej se lista nxirrej rregullisht nga institucionet, që prej vitit 2020 dhe përdorej nga kompanitë e kredive të vogla. Pak rëndësi pati deklarata e prokurores Elizabeta Imeraj se ishte e njëjta dorë që kishte nxjerrë të dhënat e pagave dhe ajo që nxori të dhënat për patronazhistët.
Konspiracioni bombardoi me titujt kryesorë përgjatë ditës së premte. Vetëm se, të hënën, kur të katër të arrestuarit lanë qelitë e burgut me vendim gjykate dhe kur e gjithw historia e konspiracionit u shfry, askush nuk pyeti më: Mos vallë edhe gjykatat shqiptare po kontrollohen nga ndonjë oligark rus?
Më poshtë disa nga lajmet sipas të cilave Shqipëria ishte në prag të destabilizimit me 200 mijë lekë të vjetra që u blenë listat e pagave.
https://abcnews.al/dokumentet-shtohet-misteri-databaza-e-pagave-te-shqiptareve-u-ble-nga-punonjesi-i-oligarkut-rus-me-lidhje-me-putinin/
https://shqiptarja.com/lajm/djemte-e-skandalit-te-pagave-andi-agaraj-nga-roli-ne-aferen-e-serverit-te-tatimeve-tek-fotot-nudo-permbaruesi-endri-ikonomi-punon-per-oligarkun-rus-ne-skene-elvis-mata-i-cezdia?r=kh0