Dirigjenti i famshëm shqiptar, Maestro Bujar Llapaj, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, të cilat kulmuan me sulmin e dhunshëm ndaj selisë të shtunën që lamë pas. Maestro Llapaj shkruan se ajo që ndodhi më 8 janar ishte e turpshme, por jo e papritur pasi është tregues i mbarsjes së shoqërisë shqiptare me urrejtje dhe përçmim për kundërshtarin.
Dirigjenti shkruan i zhgënjyer përmes një postimi në facebook se me rënien e komunizmit shqiptarët shpresuan se Shqipëria do të ecte në rrugën e Rilindasve, ëndrra e të cilëve nuk mund të bëhej realitet sipas tij nga njerëz të vegjël, hakmarrës, banditë që kanë ëndërr vetëm pushtetin dhe “lavdinë” e tyre.
Maestro Llapaj e mbyll postimin e tij duke dënuar dhunën dhe ata që e nxisin atë.
Shkrimi i plotë i bujar Llapaj:
URREJTJE DHE DHUNË
“Kushdo që përdor shpatën nga shpata do të vdesë.”
Ajo që ndodhi tek godina e PD-së më 8 janar është e turpshme por jo e papritur, është rrjedhojë e mbarsjes të shoqërisë shqiptare me urrejtje dhe përçmim për kundërshtarin, “armikun e popullit, Atdheut, demokracisë” dhe i ka rrënjët shumë thellë në kohë, por që u sanksionua me ligj dhe kushtetutë nga regjimi komunist që për nga egërsia ja kaloi edhe atij stalinist, kurse ndryshimet kushtetuese të 2008 hapën rrugën për rikthimin e Partisë-Shtet në pushtet, dhe Partisë-Pronë në opozitë.
Shpresuam shumë se me rënien e komunizmit Shqipëria do të ecte shpejt në ëndrrën e Rilindasve, por ajo vazhdon të mbetet një ëndërr e bukur e njerëzve të ditur, të mënçur dhe Patriotë që shkrinë pasuritë e tyre për të bërë Shqipërinë. Por ëndrra e Tyre nuk mund të bëhej realitet nga njerëz të vegjël, hakmarrës, banditë që kanë ëndërr vetëm pushtetin dhe “lavdinë” e tyre e kanë ngritur mbi eshtrat, vjedhjen, mjerimin dhe përçmimin e bashkëkombasve të vet. Dhe Ne Kemi “Meritën” Tonë në ngritjen dhe mbajtjen në piedestal të kësaj rrace antishqiptare.
Ndjej keqardhje por edhe revoltë ndaj shumë personave, edhe miq, që zgjidhjen e problemeve të shoqërisë shqiptare e shikojnë tek përdorimi i dhunës pa u menduar për pasojat dhe kush dëmtohet nga kjo dhunë. Të gjithë ju “luftëtarë” të “lirisë”, “demokracisë” që keni frymëzuar ’97, ’98, 21 janarin, 8 janarin, a keni bërë ndonjë bilanc të viktimave të shkaktuara nga fjala juaj “revolucionare”? Sa politikanë apo “analistë” janë viktima dhe sa njerëz të thjeshtë u përdorën si mish për topat tuaj?
Neveri për këdo që nxit dhunën dhe urrejtjen