Duke marrë shkas nga protesta e dhunshme që u mbajt më 8 janar para PD-së, ku përkrahës të ish-kryeministrit Sali Berisha tentuan të hynin brenda në seli, prokuroria do të marrë në pyetje figurat më të rëndësishme të kësaj partie.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb. I pari që do të merret në pyetje nga organi i akuzës është ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha. Sipas Lalës, Berisha do të merret në pyetje nesër në orën 10 ose 11 të paradites.
Mësohet se në pyetje do të merret edhe deputeti Flamur Noka. Ndërkohë, një ditë më vonë, prokuroria do të thërrasë për të marrë në pyetje liderin e PD-së, Lulzim Basha, bashkë me sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi, në orën 11:00.
Një ditë më parë Berisha konfirmoi se ishte i gatshëm që të shkonte në prokurori. Kujtojmë se nga protesta, ku u shënuan disa incidente, u arrestuan 34 persona, mes tyre 11 mbështetës të Bashës, ndërsa sot u liruan nga gjykata.