Është thelluar më tej skandali i përfitimit nga fondet publike të deputetes Sorina Koti, mbështetëse e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Disa ditë më parë sipas të dhënave të siguruara nga “BalkanWeb” u provua se si babai i deputetes së Korçës kishte përfituar mijëra euro nga fondet publike në shkelje flagrante të ligjit në periudhën kur Koti tashmë kishte marrë zyrtarisht mandatin e deputetes.
Por ky skandal nuk përfundon me kaq. “BalkanWeb” ka siguruar të tjera të dhëna të cilat e thellojnë më tej këtë skemë përfitimi. Sipas një vendimi të gjykatës së Pogradecit të siguruar nga “BalkanWeb” vetëm disa ditë më parë në datat, 20, 23 dhe 24 dhjetor babai i deputetes, Vangjush Koti me atë të kompanisë së tij KOTTI ka ofruar sherbime shtypshkronje. Me ane te nje vendimi Gjykata e Rrethit Pogradec ka likujduar blerjen.
Për periudhën shtator 2021 e në vijim, kjo bie në kundërshtim me Kodin e Etikës së Deputetit, për të cilin humb mandatin neni 17/1/b “Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet: të kryejë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre” dhe neni 17/6 “Nëse aksionet ose pjesët e kapitalit regjistrohen në emër të një të afërmit, që do të thotë bashkëshortit/bashkëjetuesit, femijët e rritur, prindërit e deputetit, ato konsiderohen të njëjtë sikur të ishin të regjistruar në emër të vetë deputetit dhe të drejtat për pronën e të afërmve kufizohen në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit.