sh-kryeministri Sali Berisha, ka thënë gjatë një interviste të dhënë për “Radio Nova”, se është i hapur të mirëpresë çfarëdolloj bashkëpunimi, përfshirë edhe atë me Presidentin Ilir Meta. Ai tha se narko-shteti, mundet vetëm me një opozitë të fortë e të gjerë.
“Do të ftoj në gjirin e opozitës të gjitha forcat politike dhe faktorë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare që besojnë se narko-shteti përbën dramën më të madhe kombëtare në historinë e vendit pas diktaturës. Se përjashtoj, por mirëpres bashkëpunimin me të gjithë forcat politike për të çliruar shqiptarët nga ky regjim armiqësor. Nga ky regjim që vetëm 5 vitet e fundit ka përzënë mbi 500 mijë shqiptarë nga Shqipëria”, tha Berisha.
Ish-kryeministri sqaroi më tej se përse do të nisë një tur protestash në të gjithë Shqipërinë. Ai tha se ftohen të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këto protesta dhe në fund, do të ketë edhe takime me grupe interesi.
“Unë shkoj për t’u takuar me qytetarët shqiptarë. Në Shkodër janë të mirëpritur qytetarët dhe takimet e kësaj natyre do të vijojnë në të gjithë Shqipërinë, në Tiranë e më gjerë. Më pas, tryeza të shumta të rrumbullakëta me faktorë të rëndësishëm dhe grupe të interesit. Ky narkoshtet nuk përballohet vetëm me nisma partiake, por nisma më të gjera janë të domosdoshme që ne të realizojmë qëllimin tonë”, tha Berisha.
Berisha tregoi nëse ka pasur presion nga Ambasada Amerikane pas protestës së 8 janarit:
“Siç e keni konstatuar ju deklaratat kundra meje janë bërë periodike. Unë edhe dje, ju përgjigja një interviste të gjatë të Escobar, duke i thënë se nuk goditet Berisha duke mbrojtur Bashën. Shqiptarët janë një komb i vjetër, nuk i pëlqejnë kukullat shqiptarët. Kukullat nuk kanë sukses as në treg, e jo më në jetë. Basha është një kukull e për mua SHBA janë vend i lirisë. A besoj unë që do të rishqyrtohet vendimi? Nuk di të them, po një gjë kam të qartë se ai vend ka një vlerë të madhe për gabimet që bëhen e përpjekjet për t’i korrigjuar ato. A do të ndodhë kjo me Berishën? Nuk e di këtë. Në vitin 1998 pas një debati të brendshëm me veten time unë arrita të marr vendimin më të rëndësishëm të jetës. Arrita të vendos që t’i kundërvihem diktaturës. Unë atë se bëra kurrë për t’u marrë me politikë, por e bëra për dinjitetin tim. Doja të dilja në atë gjendje që ne jetonim. Nuk ka pasur moment më të lumtur se atë mëngjes ku unë mora atë vendim. Unë betejën e kam për dinjitetin. Askush të mos mendojë që jam i lënduar në këtë betejë. Jo. Jam krenar se po bëj një betejë për të vendosur në vend dinjitetin tim”, tha Berisha.