Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari special për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar të tjera sanksione, duke u shprehur se ato nuk janë mjeti kryesor i angazhimit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por që kanë efekt dhe se do të ketë edhe të tjera.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Escobar vlerësoi se korrupsioni është problemi kryesor në Ballkan
Duke folur për sanksionet e vendosura kundër anëtarit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik dhe dy zyrtarëve të tjerë boshnjakë, pastaj kundër Milan Radoiçiçit dhe Zvonko Veselinoviçit në Kosovë, ai tha se nuk dëshiron që njerëzit të mendojnë se Shtetet e Bashkuara po angazhohen në rajon kryesisht përmes sanksioneve.
Më tej ai theksoi se administrata në Uashington është shumë e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe se një nga mjetet në këtë luftë janë sanksionet.
“Dhe mund të them se do të ketë sanksione të tjera, por ky nuk do të jetë mjeti kryesor i angazhimit tonë”, citohet të ketë thënë Escobar.
Ai shtoi se ato sanksione nuk kanë për qëllim vende apo popuj të caktuar, por, siç tha ai, individë që janë thellësisht të përfshirë në korrupsion.
I pyetur nëse njoftimi për më shumë sanksione vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ai ka thënë se po.
Escobar ka theksuar më tej se politika dhe angazhimi i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor kanë qenë tradicionalisht të lidhura me pajtimin multietnik dhe integrimin në BE, por se sfera e vëmendjes që ka marrë Ballkani Perëndimor në administratën amerikane ka ndryshuar vitin e fundit.