Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pasi presidenti Meta caktoi 6 marsin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Kryedemokrati u shpreh se PD nuk do t’i iki asnjë beteje përfshirë edhe zgjedhjet vendore.
“PD nuk do t’i iki asnjë beteje përfshirë edhe zgjedhjet vendore”, tha Basha në një intervistë në “Ora News” duke iu referuar votimeve të pjesshme në bashkitë pa kryetar.
Pas konsultimeve me presidentin mesditën e sotme, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka zbuluar se Ilir Meta ka caktuar 6 marsin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale.
Pyetje-përgjigje
Pyetje: Zoti Basha duket se ju sot aktualisht i kryetari i Partisë Demokratike keni thuajse të gjithë faktorët politikë kundër duke mos përmendur këtu jo vetëm zotin Berisha por së fundmi edhe presidenti Ilir Meta ka dalë hapur kundër jush madje nëpërmjet një lëvizje i cili njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve e pjesshme vendore, dikush e lexoi si një përpjekje për të futur në kurth Lulzim Bashën për shkak të situatës që po kalon Partia Demokratike dhe a jeni të gatshëm ju për këtë betejë?
Lulzim Basha: E para punës Partia Demokratike nuk do ti ikë asnjë beteje, asnjë beteje përfshirë dhe zgjedhjet vendore, e dyta faktori politik është një përcaktim i cili duhet të ndryshojë në këtë kulturë të re politike që po Partia Demokratike po prezanton në Shqipëri. Kjo që po ndodh nuk është thjesht një përplasje midis mendimeve krejtësisht të ndryshme për pluralizmin dhe demokracinë, është një ndryshim do të thoja kulturor i cili po ndodh për herë të dytën, para 31 vjetësh na çoi nga monizmi në pluralizëm por jo tamam në demokraci dhe tani synon që Shqipërinë ta kthej në një vend normal Europian demokratik dhe në një vend normal Europian demokratik faktori më i rëndësishme politik është opinioni publik, janë qytetarët, qytetarët duan ndryshimin dhe Partia Demokratike po bën e do bëjë gjithçka që ti ofrojë këtë ndryshim shqiptarëve dhe që shqiptarët besojnë që ky ndryshim mund të vijë vetëm përmes një bashkëpunim dhe përmes një aleance me Partinë Demokratike, me tërësinë e saj, vizionin tonë, planin tonë, programet tona, ekipin tonë.