ELTON NIKA/ Nuk ka asnjë gjurmë prej disa ditësh nga adoleshentja E. Tozaj, e zhdukur të premten e javës së shkuar në qytetin e Vlorës.
Megjithëse është larguar edhe herë të tjera nga banesa duke u rikthyer sërish, kësaj here kjo gjë nuk ka ndodhur. Më 12 janar, ajo u largua nga banesa duke u gjetur në zonën e Orikumit.
Kanë qenë banorët e zonës ata që lajmëruan Policinë se një adoleshente ecte e vetme nëpër rrugë.
Pas këtij momenti, efektivët e policisë e shoqëruan atë për në banesë. Gjatë asaj dite, vajza ka deklaruar se ishte nga Saranda, duke gënjyer kështu forcat e rendit.
Të premten e kaluar, rasti është përsëritur sërish, por ndryshe nga herët e tjera vajza nuk është rikthyer më në banesë.
APELI I NËNËS
Nëna e vajzës, Entela Tozaj, tha për “Panorama” se deri pasditen e djeshme nuk kishte asnjë informacion mbi vendndodhjen e vajzës, duke hedhur dyshime se ajo fshihet te një djalë, me të cilin ka pasur lidhje intime dhe se familja e ka kundërshtuar.
“Në lidhje me largimin e vajzës, Policia nuk na ka thënë gjë. Na kanë thënë që jemi në terren dhe po e kërkojmë. Nuk kemi marrë asnjë lajm nga vajza”, u shpreh ajo. E pyetur për një largim të mundshëm për shkak të një lidhjeje intime, gruaja thotë se ky është shkaku kryesor.
“Ky është shkaku. Vajza është lidhur me një djalë dhe që ne nuk e pranuam. Për këtë arsye dyshoj se është larguar”, thotë ajo.
Entela Tozaj deklaron se gjatë së premtes, personi i fundit me të cilin ka komunikuar e bija është pikërisht i dashuri i saj.
“Djali ka deklaruar se nuk kam lidhje me vajzën, nuk e di ku është, nuk kam folur me vajzën. Ndërkohë që djali është personi i fundit që ka komunikuar me vajzën nëpërmjet mesazheve. Në orën 12, që vajza është larguar nga shkolla ditën e premte, ky është personi i fundit që e ka takuar. Unë kam bindjen e plotë që djali e fsheh vajzën”, thotë më tej.
Nëna e adoleshentes thotë se familja nuk ka qenë dakord që vajza të vazhdonte lidhjen për shkak të moshës së re të saj, duke pranuar edhe debatet me minorenen.
“Ne kemi pasur një debat për arsyen e këtij djalit. Nuk kemi qenë dakord që vajza të lidhej me këtë djalin pasi është shumë e vogël, vetëm 16 vjeçe, dhe nuk mund të ketë një lidhje në këtë moshë. Ajo duhet të vazhdojë shkollën”, deklaron më tej.
Gruaja dyshon se vajza është në një lagje të Vlorës dhe se për këtë kanë dëshmuar tre persona.
“Ne e kemi kërkuar në të gjitha lagjet e Vlorës dhe në një prej tyre kemi marrë informacion nga tre veta që vajza është parë aty. Apeli im është që vajza të kthehet në shtëpi”, thotë më tej.
Nëna e vajzës denoncoi të premten në Policinë e Vlorës zhdukjen e vajzës.
“Më datë 15.01.2022, shtetasja E. T., ka kallëzuar se më datë 14.01.2022, i është larguar nga banesa, vajza e saj e mitur 16 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj”, thuhet në njoftimin e Policisë. Ndërkohë, një tjetër adoleshente është larguar nga banesa në Tiranë prej datës 12 janar dhe ende nuk është kthyer. PANORAMA