Ergys Dashi u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në Guayaquil të Ekuadorit me një plumb në kokë. Autori, i cili mbante në dorë një buqetë me lule, vjen me vrap në drejtim të tryezës ku ai ishte ulur, e qëlloi në kokë dhe u largua me vrap.
Gazetari Artan Hoxha ka publikuar pamjet të cilat tregojnë momentin e vrasjes dhe nga to duket qartë që me të marrë plumbin shqiptari rrëzohet në dysheme i pajetë. Pasi ekzekutuan 34-vjeçarin nga Durrësi, autorët hapën zjarr edhe në drejtim të klientëve të tjerë në lokal, duke bërë që të gjithë të gjenin strehim poshtë tavolinave.
Viktima ndodhej bashkë një person tjetër në tavolinë në momentin që u qëllua për vdekje.
“Në videon e publikuar nga Xhungel.al, tregohet qartë e gjithë skena e krimit, dinamika e lëvizjeve të autorit dhe përpjekja e personit që ndodhej në tavolinë me viktimën për ta sulmuar vrasësin me karrige dhe çfarë t’i kapte dora,” shkruan Hoxha në postimin e tij në Facebook.
Si psojë e breshërisë së plumbave, e plagosur mbeti edhe një vajzë 26-vjeçare e cila ishte e ulur me një grup të rinjsh pranë tavolinës ku u vra Dashi. Dyshohet se shkak për ekzekutimin mund të jetë bërë përfshirja e 34-vjeçarit në trafikun e kokainës. /abcnews.al/