MARIGLEN KUME/ Caktimi i anëtarit të 7-të në KZAZ duket se do të jetë ngërçi i parë që do të përplasë Partinë Socialiste me Partinë Demokratike. Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka parashikuar një mbledhje për të caktuar subjektet zgjedhore që do të propozojnë anëtarë për në KZAZ.
Sipas ligjit zgjedhor, të drejtën për të caktuar anëtarë në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor e ka partia që ka rezultuar shumicë në zgjedhjet e fundit politike, partia më e madhe në opozitë dhe partia e dytë më e madhe në opozitë. Për të caktuar partitë që do të propozojnë anëtarë në këto zgjedhje nuk do të merren për bazë rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit, por ato të 2017-ës. Kjo për faktin se zgjedhjet e 6 marsit janë zgjedhje të pjesshme dhe nuk do të japin mandat të plotë për kryetarët e 6 bashkive, por ata do të qëndrojnë në detyrë vetëm për kohën e mbetur.
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozon që partitë politike që do të propozojnë anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor (KZAZ) që do të ngrihen dhe funksionojnë për zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 mars 2022, të jenë si vijon: tre anëtarë propozohen nga Partia Socialiste e Shqipërisë; dy anëtarë propozohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë; një anëtar propozohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
PËRPLASJA
Por deri këtu nuk ka asgjë të kundërshtueshme nga dy forcat kryesore që kanë shprehur se do të marrin pjesë në zgjedhje, PD e PS. Problemi qëndron tek anëtari i 7-të i KZAZ-ve. Sipas Kodit Zgjedhor, anëtari i 7-të përcaktohet me short. Për shembull, në KZAZ-të me numër tek e cakton PD-ja, ndërsa në KZAZ-të me numër çift e cakton PS-ja. Por në këto zgjedhje ka një problem që nuk është i parashikuar në Kodin Zgjedhor. Numri i komisioneve të administrimit zgjedhor është numër tek. Kështu janë tri bashki të cilat kanë vetëm një KZAZ dhe nuk mund të hidhet short siç parashikohet në ligjin zgjedhor. Kështu, në Bashkinë Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë ka nga një KZAZ. Përfaqësuesit politikë pritet që të kenë sot përplasje në KQZ pasi, sipas ligjit aktual, një parti rezulton patjetër shumicë në KZAZ.
AFATET
Sakaq, në fundjavë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe aktin me afatet përkatëse duke nisur nga regjistrimi i partive e deri te dita e fundit e fushatës. Kështu, sipas dokumentit të miratuar, “partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, dhe komitetet nismëtare për Bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnjë, nga data 28 janar deri në datën 31 janar 2022. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Ndërsa koalicionet regjistrohen 24 orë pas përfundimit të regjistrimit të subjekteve politike. Ndërsa pas kësaj faze, subjektet e regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet në 6 bashkitë e sipërpërmendura do duhet që nga data 6 deri më 9 shkurt të paraqesin dokumentet për të regjistruar kandidatët përkatës.
“Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për Bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnjë, si dhe në KZAZ për Bashkitë Vorë, Dibër dhe Rrogozhinë, nga data 6 deri në datën 9 shkurt 2022. KQZ/KZAZ bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KQZ-ja/KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Ndërkohë, fushata zgjedhore do të nisë më 19 shkurt deri 24 orë para zgjedhjeve të 6 marsit. Po ashtu, edhe për këto zgjedhje, KQZ ka miratuar aktin për veprimtaritë e ndaluara të bashkive.