Është identifikuar dhe arrestuar nga policia personi i cili mbrëmjen e të hënës vendosi lëndë plasëse në derën e jashtme të banesës së Armand Dukës.
Korrespondenti i “Panorama.al” raporton se bëhet fjalë për shtetasin Arlen Hasanaj, 34 vjeç banues në të njëjtën lagje me kreun e FSHF-së.
Siç mund të shihet nga kjo video e siguruar nga “Panorama.al” ka qenë ora 22:03, kur një djali i ri me kapuç në kokë ndez lëndën plasëse dhe e vendos pranë derës së shtëpisë së Dukës në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar.
Më pas i riu që dyshohet të jetë Arlen Hasanaj është larguar me vrap, ndërsa pas disa sekondash lënda ka shpërthyer. Menjëherë pranë vendit të ngjarjes janë parë edhe dy efektive policie.
Po ashtu nga videoja duket se para se të vendoste lëndën plasëse personi i dyshuar ka studiuar zonën. Nga shpërthimi i lëndës plasëse nuk pati dëmtime të mëdha.
Vetë Duka, pak minuta pas ngjarjes deklaroi se e ka parë autorin nga kamerat e sigurisë, i cili ishte shfaqur i maskuar me kapuç dhe më pas është larguar me shpejtësi.
“I kam filmimet. Duket një njeri me kapuç që është afruar te porta dhe ka vendosur dinamitin te mekanizmi i hapjes. Këto hetues janë të gjithë të aftë dhe maksimumi deri nesër do t’ju bëjnë të ditur se kush është“, do të shprehej dje në mbrëmje në një prononcim për mediat kreu i FSHF-së.