Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme ish-drejtorin e autoritetit portual në Durrës.
Përmes një njoftimi për shtyp, KLSH bën me dije se ish-drejtori i autoritetit portual, së bashku me dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialistë, akuzohen për abuzim me fondet publike.
Më specifikisht ata akuzohen nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave”, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish-drejtori dhe vartësit e tij.
Njoftimi plotë:
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar të organeve të pushtetit qendror dhe vendor, ka ushtruar auditim përputhshmërie dhe rregullshmërie në subjektin Autoriteti Portual Durrës (APD) për periudhën e veprimtarisë 01.07.2018- 31.12.2020.
Konkretisht nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave” janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialistë.
Veprimet e ish Titullarit të APD dhe punonjësve të tij janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, si dhe rregullat e prokurimit publik, duke sjellë për pasojë keqpërdorim të fondeve publike.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal që i atriubohet shtatë funksionarëve të Autoritetit Portual Durrës për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga neni 258 dhe 248 i Kodit Penal.