Gjykata e Tiranës njeh Lulzim Bashën në krye të Partisë Demokratike. Kjo është konfirmuar përmes një vërtetimi që është lëshuar dje nga Gjykata e Tiranës. Gazeta “Panorama” ka siguruar vërtetimin që ka lëshuar Gjykata e Tiranës, në të cilin thuhet se kryetar i PD-së është Lulzim Basha.
“Vërtetojmë se në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton se me urdhër nr. 12, datë 19.12.1990 të ministrit të Drejtësisë, është miratuar krijimi i ‘Partisë Demokratike’, me iniciale ‘PD’ ose ‘PDSH’. Kryetar i Partisë është z.Lulzim Basha. E lëshojmë këtë vërtetim në përgjigje të kërkesës së subjektit të interesuar”, thuhet në shkresën e lëshuar nga Gjykata që mban datën 24.01. 2022.
Ndërkohë, mbrëmjen djeshme rreth orës 20:00 përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Marash Logu, depozitoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentet për t’u regjistruar në zgjedhje dhe kandidatët për anëtarë në KZAZ. Ndërkohë, më herët gjatë ditës së djeshme Partia Socialiste depozitoi në KQZ dokumentacionin për regjistrimin e PSSH për zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 mars 2022, për kryetarë të bashkive. Dokumentacioni është dërguar nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.
Dokumenti është bërë publik për mediat nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërkohë, pas regjistrimit Partia Socialiste dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve propozimet e saj për anëtarët e KZAZ-ve në zgjedhjet e pjesshme lokale, që pritet të mbahen më 6 mars. Dokumenti mban firmën e përfaqësuesit ligjor të socialistëve në KQZ, Eridian Salianji.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë u dekretuan për t’u mbajtur në datën 6 mars zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
Komisioni rregullator në KQZ vendosi që fushata zgjedhore të nisë më 19 shkurt dhe të zgjasë më pak se një muaj, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion për respektimin e afateve ligjore. Pas maxhorancës radhën për të shkuar në KQZ e për të depozituar anëtarët për në Komisionin e Administrimit zgjedhor e zuri Lëvizja Socialiste për Integrim. Ish-aleatja e PD-së në zgjedhjet e 25 prillit njoftoi dje në mesditë se kishte depozituar në KQZ propozimet e saj përmes një flete që mbante firmën e sekretarit të Përgjithshëm, Endrit Brahimllari.
AFATET
Sakaq, në fundjavë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe aktin me afatet përkatëse duke nisur nga regjistrimi i partive e deri te dita e fundit e fushatës.
Kështu, sipas dokumentit të miratuar, “partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, si dhe komitetet nismëtare për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnjë, nga data 28 janar deri në datën 31 janar 2022. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Ndërsa koalicionet regjistrohen 24 orë pas përfundimit të regjistrimit të subjekteve politike. Ndërsa pas kësaj faze, subjektet e regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet në 6 bashkitë e sipërpërmendura do duhet që nga data 6 deri më 9 shkurt të paraqesin dokumentet për të regjistruar kandidatët përkatës.
“Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnjë, si dhe në KZAZ për Bashkitë Vorë, Dibër dhe Rrogozhinë, nga data 6 deri në datën 9 shkurt 2022. KQZ/ KZAZ bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KQZ-ja/KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Ndërkohë, fushata zgjedhore do të nisë më 19 shkurt e deri 24 orë para zgjedhjeve të 6 marsit. Po ashtu, edhe për këto zgjedhje, KQZ ka miratuar aktin për veprimtaritë e ndaluara të bashkive.