Ambasadorja amerikane Yuri Kim është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Bashën pasditen e sotme.
Me anë të një postimi në Twitter, Kim e falenderon demokratin për angazhimin e tij në luftën kundër korrupsionit, fuqizimin e institucioneve demokratike si dhe në mbështetjen e investimeve të SHBA-së në Shqipëri.
Diplomatja amerikane thekson se një opozitë e fortë, është esenciale për demokracinë e një vendi.
Postimi i Yuri Kim:
Falenderoj kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën për angazhimin e shkëlqyer në disa çështje kyçe që lidhen me marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, duke përfshirë format e fuqizimit të institucioneve demokratike, luftën ndaj korrupsionit dhe investimeve amerikane në vend, nga veriu në jug. Opozita e fortë është esenciale për demokracinë.
Kujtojmë se një ditë më parë, gazetari Robert Rakipllari, pyeti kryeministrin Edi Rama se pse nuk e njeh Bashën si kryetar të PD-së, në një kohë që SHBA e njeh si të tillë.