BallinaKryesore“Zgjedhjet e 6 marsit anomali”/ Basha: “Trekëndëshi i Bermudës” në veprim, halli...

“Zgjedhjet e 6 marsit anomali”/ Basha: “Trekëndëshi i Bermudës” në veprim, halli i tyre të legjitimojnë partinë e ‘non gratave’

Për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha zgjedhjet e 6 marsit janë një nënprodukt dhe një anomali siç ishte 30 qershori 2019-të. Në një intervistë për News24, Basha u shpreh ndër të tjera se kjo është një mundësi për Ilir Metën që të forcojë koalicionin e “non gratave”.

“Të gjithë e dimë fare mirë se 6 Marsi nuk është dizenjuar për të zgjidhur hallet e krijuara për shqiptarët në këto 6 Bashki, 4 prej të cilave, e vetmja arsye pse zhvillohet ky proces, është plaga e rëndë e kandidimit nga Rama, të personave me rekorde kriminale, për Bashkiakë. Pra, që tregon që problemi i madh i bashkëjetesës, të bashkëpunimit me krimin nga ana e partisë në pushtet dhe politikës në tërësi, vazhdon të prodhojë probleme për qytetarët. Për Ilir Metën është një mundësi që t’i shtijë dru zjarrit të hallit të vet.”- u shpreh Basha.

PJESE NGA INTERVISTA

Pyetja: Zoti Basha, përshëndetje!

Lulzim Basha: Përshëndetje dhe faleminderit!

Pyetja: Në një tjetër intervistë në emisioni “Kjo Javë” zoti Basha. Fillimisht doja t’iu pyesja si janë këto ditë për ju pas 8 janarit, të tjera zhvillime kanë ndodhur, si është ecuria?

Lulzim Basha: Si për të gjithë shqiptarët. Është një nga kohët më të vështira që nga ardhja e pluralizimit politik të vendi, sepse siç parashikuam pas 25 prillit, ndalimi i ndryshimit, sjell pasoja. Sjell pasoja për jetën e përditshme të shqiptarëve dhe padiskutim, sjell pasoja dhe politike. Por, Partia Demokratike është angazhuar në një proces shumë të ngjeshur ë organizimit, të shpalosjes së vizionit të saj, jo vetëm brenda radhëve të saj, por edhe me gjithë shoqërinë dhe të krijimit të mekanizmave për ta nxjerr Shqipërinë nga stanjacioni ku e la futur, arrestimi i rotacionit dhe ndryshimit më 25 prill.

Pyetja: Zoti Basha, ju jeni gati afër 6 Marsit, datë e vendosur nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesëshme lokale. Kishit pritshmëri për këto zgjedhje se do të ishin tani? Si i pritët?

Lulzim Basha: 6 Marsi është, në qoftë se mund ta them, një nënprodukt, një anomali dhe një nënprodukt e një anomalie tjetër, siç ishte 30 qershori 2019-të. Pra, është nënprodukt i një anomalie të madhe dhe në vetvete është një anomali.

Pyetja: Pse e quani kështu?

Lulzim Basha: Sepse e tillë është. Të gjithë e dimë fare mirë se 6 Marsi nuk është dizenjuar për të zgjidhur hallet e krijuara për shqiptarët në këto 6 Bashki, 4 prej të cilave, e vetmja arsye pse zhvillohet ky proces, është plaga e rëndë e kandidimit nga Rama, të personave me rekorde kriminale, për Bashkiakë. Pra, që tregon që problemi i madh i bashkëjetesës, të bashkëpunimit me krimin nga ana e partisë në pushtet dhe politikës në tërësi, vazhdon të prodhojë probleme për qytetarët. Për Ilir Metën është një mundësi që t’i shtijë dru zjarrit të hallit të vet. Duke u përpjekur kështu të forcojë atë Koalicion të “non gratave” për shqiptarët, të atyre që janë të padëshirueshëm për shqiptarët dhe në këtë mënyrë mendon se mund t’i japë frymëmarrje apo përpiqet t’i japi legjitimitet, diçkaje që është jo vetëm legjitime, por të padëshiruar, që është koalicioni i një grushti njerëzish të cilët duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është.

Pyetja: Pra, zoti Basha, i ashtuquajturi prej jush “Trekëndëshi i Bermudës” do të marrë pjesën realisht në zgjedhjet e 6 marsit. Është kjo një formë kurthi ndaj jush, le ta quajmë?

Lulzim Basha: Padiskutim “Trekëndëshi i Bermudës” është në veprim dhe halli i tyre nuk ka aspak të bëjë me demokracinë vendore apo me hallet e shqiptarëve. Sepse siç e thashë, problemet janë ato të cilat i kemi parashtruar nga ne dhe që u vërtetuan më 25 prill. Më thoni, pyetje retorike: Çfarë ka ndryshuar nga raporti i OSBE-OHDIR, që tregoi problemin e shit-blerjes së votës, përfshirjes së krimit të organizuar, abuzimi me burimet shtetërore, abuzimi me financat shtetërore? Asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi, janë bërë përpjekje të stërmëdha nga partia në pushtet, për të ndalur dorën e drejtësisë, për të mos dënuar personat përkatës. Nuk ka asnjë përparim me Komisioni për Hetimin e masakrës zgjedhore të 25 prillit të kërkuar edhe në Parlament nga Partia Demokratike. Nuk ka asnjë hap në atë që cilësohet si kusht për demokracinë në Shqipërinë, por edhe një kusht për hyrjen e vendit në Bashkimin Europian, që është Reforma Zgjedhore. Pra, qartësisht 6 Marsi ndodh në kushte edhe më të këqija sesa ato për të cilat Ilir Meta nuk pranoni që zgjedhjet të zhvilloheshin më 30 qershor duke i shtyrë ato. Atëherë çfarë e shtyn atë dhe dy brinjët e tjera të “Trekëndëshi i Bermudës”, të hidhen e ta përqafojnë 6 Marsin? Halli i përbashkët. Halli i përbashkët është të legjitimojnë partinë e non gratave në Shqipëri, ku bëjnë pjesë të tre, apo siç kemi thënë shkurt “Trekëndëshi i Bermudës”.

Pyetja: Gjithsesi, ju ndodheni përballë faktit të 6 Marsit, zgjedhjet do të zhvillohen. A është përgatitur Partia Demokratike për këto zgjedhje zoti Basha?

Lulzim Basha: Këto janë një test për Partinë e “non garatave”, të cilët duan t’u imponohen shqiptarëve duke organizuar edhe kushtet e rënies të të gjitha garancive primare për një proces të rregullt zgjedhor, një tjetër maskaradë. Për Partinë Demokratike sfida është që t’i paraqesin shqiptarëve alternativën më të mirë, njerëzit më të mirë, të cilët t’iu përgjigjen halleve dhe problemeve të tyre. Të përfaqësojnë hallet dhe problemet e tyre dhe të kenë mundësi të japin zgjidhje halleve dhe problemeve të tyre. Ky është testi për ne. Ndërsa testi për “Trekëndëshi i Bermudës” është të garantojnë mbijetesën e tyre, duke u imponuar përmes një tjetër anomalie siç e thash 6 Marsi, që është një nënprodukt, një pjellë e anomalisë së madhe të 30 qershorit dhe në vijimësi e anomalisë së zgjedhjeve të masakruara më 25 prill.

Pyetja: Kalojmë pak tek ato që quhen figura, pra kandidatët. Si do të bëhet përzgjedhja e lëtyre kandidatëve, zoti Basha? Do të jenë figura politike, do të jenë nga shoqëria civile, si do të bëhet përzgjedhje? Sepse rivali juaj po bën primaret për të përzgjedhur kandidatët.

Lulzim Basha: Ta fillojmë me këtë të fundit. Ne e dimë që çdo gjë që kanë thënë ata, është provuar, madje dhe me pamje filmike që ka qenë e pavërtetë, në fakt e kundërta ka ndodhur. Kështu që nuk ka primare nga pala tjetër, ka thjesht demagogji, propagandë, sepse dihet se si i kanë marrë vendimet historikisht. Ndërkohë, Partia Demokratike prej kohësh ka nisur një proces i cili nuk ka përfunduar, ka nevojë të përmirësohet shumë, të konsultimit me qytetarët, pra të konsultimit me bazën mbi tavolinat e përfaqësive tona, të kryesive tona, të deputetëve, të kryetarëve të degëve, kryesive të degëve, janë sugjerime të shumta që vijnë si nga anëtarësia, ashtu dhe nga qytetarët dhe procesi do të ndjek rrjedhën statusorë, për të ardhur pastaj tek kandidatët të cilët në fund do të miratohen nga organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Demokratike, që është Këshilli Kombëtar.

Pyetja: Ka ndonjë informacion për kandidaturat si do të jenë?

Lulzim Basha: Procesi është në vijim. Padiskutim, siç e thash, 6 Marsi kërkon nga Partia Demokratike, pavarësisht prej atakimit të zgjedhjeve nga “Trekëndëshi i Bermudës” dhe domosdoshmëria jetike që ata e kanë për t’iu imponuar shqiptarëve, njerëzve, qytetarëve, pra Shqipërisë, me anomalitet dhe për të legjitimuar anomalitetin, ne do të bëjmë gjithçka që ta kthejmë vëmendjen tek njerëzit, tek hallet  dhe problemet e tyre, duke reflektuar edhe tek kandidaturat tona.

Pyetja: Do të hyni në këto zgjedhje për të fituar zoti Basha? Duke pasur parasysh edhe një situatë të vështirë që po kalon Partia Demokratike? E kam fjalën sa do të ndikojë kjo përçarje në Partinë Demokratike?

Lulzim Basha: Partia Demokratike nuk është e përçarë, është e sulmuar. Është e sulmuar nga brenda, nga persona me rekorde korrupsioni, nga ish-drejtorë, ish-ministra, të bashkuar nga njollat e korrupsionit në të kaluarën, të cilët duan ta përdorin këtë moment për t’iu imponuar vullnetit të demokratëve, vullnetit të shumicës. Partia Demokratike e ka forcën, e ka vizionin dhe qëndresën për t’u përballur me këtë sulm, i cili nuk është se do të fillojë më 6 Mars, kemi javë, muaj që po përballemi me këtë sulm. Dhe për t’u ngritur mbi interesin jo vetëm të kësaj pakice të korruptuar të ish-qeverisjes tonë, por edhe në interesin e thjesht të Partisë Demokratike, për të përfaqësuar atë për të cilën ka lindur dhe ekziston, interesin e gjithë shqiptarëve. Kështu që padiskutim që futemi për të fituar, për të përfaqësuar vlerat tona më të mira, por po kështu të vetëdijshëm se beteja jonë për ta kthyer Shqipërinë në shinat e legjitimitetit dhe të demokracisë sapo ka nisur. Dhe kjo betejë kërkon bashkërendimin e të gjitha forcave të shoqërisë dhe padiskutim edhe 6 Marsi në këtë kuptim është sa sfidë, edhe mundësi që të ngremë këtë frymë tek qytetarët të cilët janë të lodhur dhe të dëshpëruar nga zhvillimet politike. Vet politika e “Trekëndëshi i Bermudës”, inkurajon apatinë, inkurajon largimin nga politika, ndërkohë që detyra jonë është t’u shpjegojmë qytetarëve se politika nuk është e keqe në vetvete. Të mirë apo të keqe e bëjnë njerëzit dhe se Partia Demokratike është e vendosur ta rikthej politikën si një instrument në duart e njerëzve, për të mirën e njerëzve dhe këtë mund ta bëjmë vetëm kur e heq politikën nga duart e një pakice të cilën po e përdor vetëm për t’u pasuruar dhe për të mbajtur në pushtet këtë pakicë të simuluar kaq mirë tek “Trekëndëshi i Bermudës” dhe halli i tyre i përbashkët.

Pyetja: Si do të hyni në këto zgjedhje, do të hyni vetëm?

Lulzim Basha: Tani, vet rrethanat janë të tilla, ku siç e thash bëhet fjalë për një anomali, pjellë e një anomalie tjetër. Megjithatë ne kemi vazhduar dhe do të vazhdojmë konsultimet edhe me aleatët tanë.

Pyetja: Si janë marrëdhëniet me aleatët?

Lulzim Basha: Marrëdhëniet me aleatët sigurisht që janë të impaktuara nga fakti që Partia Demokratike është prej muajsh nën sulm. Domethënë koha dhe mundësia për të komunikuar nuk është ajo që ka qenë më përpara, por me shumicën prej tyre ekziston mirëkuptimi, se nga ky proces do të dalim shumë më të fortë dhe shumë më të gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Pyetja: Pra, ju jeni në kontakt me aleatët. Keni zhvilluar takime?

Lulzim Basha: Ka pasur komunikime, sigurisht, pavarësisht siç e kam thënë, siç është e qartë besoj edhe nga raportimet e përditshme të medias, Partia demokratike është në një proces shumë intensiv organizimi, strukturimi, përgatitjeje, por dhe betejë opozitare në parlament, jashtë parlamentit, aty ku ndodhi gjëma, si pak më tutje se këtu, tek “5 Maji”. Ishin deputetët tanë që u përballën në krah të qytetarëve, siç kanë qenë në këto vite, skandalet e qeverisë që nga ajo e inceneratorëve, tek skandalet e fundit të kësaj jave, ku skandali mbulon skandalin. Por, pa pikë diskutimi që komunikimi me aleatët vazhdon, bashkërendimi me ta do të vazhdojë.

Pyetja: Por ende nuk ka një vendim për hyrje në zgjedhje?

Lulzim Basha: Zgjedhjet janë për Kryetarin e Bashkisë, nuk është se do të ketë kandidime për Këshillin Bashkiak. Kështu që kjo është një specifikë e cila sigurisht që e bën komunikimin pak më linear, sesa siç do të ishte rasti për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare fjala bie.

Pyetja: Zoti Basha, duke mbetur tek kjo situatë, duke qenë se jemi përpara zgjedhjeve. Ka pasur një konferencë për shtyp të Presidentit Meta ditën e djeshme, i cili pati disa cilësime ndaj figurës tuaj. Citojmë këtu “bravo brava”. Çfarë qëndrimi keni për presidentin e vendit?

Lulzim Basha: Nuk kam ndërmend të harxhojë shumë kohë për qëndrimet mbi qëndrimet, as t’iu shkoj mbrapa akuzave. Siç e kam thënë “Trekëndëshi i Bermudës” e bashkon një hall i madh. Halli që ata nuk kanë, e kuptojnë fare mirë, që nuk kanë mbështetje popullore. Përkundrazi, janë kthyer në figura të urryera nga qytetarët, sepse kanë 30 vite që e mbajnë vendin peng për interesat e tyre. Dhe në një vend normal, asnjëri prej tyre nuk do të ishte më në politikë. Secili prej tyre ka bërë pjesën e vet që të vazhdojë të mbetet në politikë dhe ajo që ka bërë, paguhet sot si faturë në mirëqenien e qytetarëve, në shëndetin e qytetarëve, në të ardhmen dhe shpresën e vendit. Çdo gjë që ndodh në ekonomi, gjithçka që ndodh në shëndetësi dhe në arsim, vjen si faturë e pushtetit korruptiv të Ramës dhe dy këmbëve të tjera që e mbajnë këtë pushtet në këmbë të “Trekëndëshi i Bermudës”. Pra nga kjo pikëpamje, nuk është se i ndjek me interes të madh etiketimet. Sigurisht ky fiksimi me bravat është diçka për t’u analizuar nga specialistët e fushës, ndoshta bravat e qelive iu vijnë shpesh në mendje, por ky është nja hall që nuk ka të bëjë me mua, është halli i tyre, di të mbetet halli i tyre.

Pyetja: Presidenti cilëson gjithmonë dhe e vendos theksin tek tubimi i 2 Marsit. Dhe madje thotë që me zi pret t’i kthehet vëmendjes tek populli, me të mbaruar mandatin e tij si President i Republikës, si e shihni këtë?

Lulzim Basha: Nuk kam asnjë sekondë për të harxhuar në komentimet e tij apo të dy brinjëve të tjera të “Trekëndëshi i Bermudës”. Shqipëria ka një popull, një popull të vetëm. Dhe e di që para dy dekadash, kur unë akoma nuk isha në politikë, janë shpikur termat populli opozitar, populli socialist, populli demokratë. Në fakt është vetëm një popull. Jemi një vend, dhe shpeshherë, ju e dini edhe brenda familjes mund të ketë bindje politike që anojnë majtas apo djathtas. Problemi qëndron diku tjetër, që shumica dërrmuese e popullit nuk e gjen veten të përfaqësuar. Dhe në qoftë se kjo shumicë dërrmuese ka mundësinë t’i jepet zë, t’i jepet liria e votës, atëherë “Trekëndëshi i Bermudës” shkërmoqet. Dhe në qoftë se ka sot një ekuacion apo një peshore politike në Shqipëri, është midis kësaj shumice të zënë si me thënë rob i projekteve politike nga “Trekëndëshi i Bermudës” që është ana tjetër e peshores. Dhe e vetmja mënyrë për të rivendosur drejtpeshimin, është rikthimi tek vota e lirë, është rikthimi tek sundimi i ligjit, rikthimi tek barazia para ligjit, që do të thotë ndëshkimi i politikanëve të korruptuar, i politikanëve që vjedhin zgjedhjet, i aktorëve të krimit të organizuar apo edhe aktorëve ekonomik, të cilët kanë ndërtuar një perandori pushteti dhe pasurie, mbi mjerimin e shumicës. Ky është objektivi i Partisë Demokratike: Të rivendos këtë drejtpeshim. Prishja e këtij drejtpeshimi, është edhe burimi i të gjithë fatkeqësive që përjetojnë të gjithë shqiptarët sot.

Pyetja: Zoti Basha, teksa iu pyeta për deklaratat e zotit Meta, doja t’iu pyesja pak edhe për ato të kryeministrit Rama. Dy ditë më parë, është shprehur ndaj jush se jeni pa legjitimitet politik. Keni vulën, por jo legjitimitetin politik. Çfarë komenti keni për këtë?

Lulzim Basha: Shiko, problemi i autokratëve është që ata e përfytyrojnë veten e tyre si zotër të vendit. Prandaj quhen autokratë, vetësundues po ta përkthejmë. Sundojnë vet. Nuk e kuptojnë që janë ulur apo duhet të ulen aty me votën e qytetarëve, jo të blerë, as të shantazhuar, as të manipuluar dhe t’i përgjigjen nevojave të qytetarëve. Pra, e kujtojnë vendin pronën e tyre. Ata vendosin se kush do marri një pronë publike, ata vendosin se kujt i takon ta marrë pronën private mbrapsht e kujt jo. Ata vendosin postet, vendosin si të shpërndahen paratë e shqiptarëve, i risin taksat, çfarë bëjnë me taksat dhe po kështu mendon se ky, autokrati i Shqipërisë shpërndan edhe certifikatat e legjitimitetit. Njësoj si certifikatat e legalizimeve. Sikur ky do të vendosi nëse filani është legjitim e tjetri është jo legjitim. Është burim i mendësisë së një autokrati. Sigurisht që nuk është në dorën e Edi Ramës të shpërndajë certifikatat e legjitimitetit, por në vetvete ajo është një shprehje e qartë e dëshirës së Edi Ramës, që Partinë Demokratike, kryetarin e Partisë Demokratike, mos ta ketë përballë, por të ketë përballë ortakët e tij në “Trekëndëshi i Bermudës” në atë që e kam quajtur më përpara, grupi 2na bashkoi non grata”. Pra, i flet subkoshienca, nuk është ai që përcakton legjitimitetit e opozitës. Nuk është ai që përcakton legjitimitetin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ka dëshirë ta bëjë dhe më këtë vetëm vetëdemaskohet. Së pari, si një autokratë, së dyti si një bashkëpunëtor të “Trekëndëshit të Bermudës”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular