Pas zgjedhjes si drejtues politik i PD-së në qarkun e Gjirokastrës, Roland Bejko ka filluar punën me takimet me demokratët në këto zona.
Këtë të dielë, Bejko ka zhvilluar takime me strukturat drejtuese të PD-së në të pesta degët e këtij qarku.
Sipas tij, këto takime kanë për synim përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e reja në strukturat në bazë dhe që do të kulmojnë me zgjedhjen e krereve të rinj të degëve përkatëse.
I deleguari i kryesisë për Qarkun e Gjirokastrës, ka folur edhe për zhvillimet politike dhe krizën që ka përfshirë PD-në.
Ndërkaq Bejko u ka bërë thirrje demokratëve të bashkohen dhe t’i hapin udhën të ardhmes së tyre, ndërsa për ata që kërkojnë të jenë me të shkuarën, le të vazhdojnë ta ndjekin nga pas.
“Sapo përfunduam një mbledhje të zgjeruar me strukturat e Partisë Demokratike. Ishte një takim i ngrohtë dhe i këndshëm. Është takimi që do të zhvillonim në kushtet e një opozite të rëndë për PD-në për shkak të situatës së brendshme që po kalon ajo. Nuk është e mirë që opozita të ndahet, nuk është mirë që është ndarë në dy kampe, njëri me PD-në zyrtare dhe tjetri me lëvizjen e çmendur të zotit Berisha, i cili për interesat personale të tij është duke i hedhur demokratët në vëllavrasje, në sherre të pafundme. PD është partnere dhe jo vasale e SHBA dhe si e tillë lufton për demokracinë e vendit dhe të ardhmes së saj me një PD nesër në qeveri” – shprehet Bejko.