Komisioni i Rithemelimit të PD-së i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, LSI e Monika Kryemadhit dhe Partia Demokristiane e Nard Ndoka kanë depozituar sot në KQZ një marrëveshje për të formuar një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit
Sipas firmëtarëve, koalicioni do të quhet “Shtëpia e Lirisë” dhe do të ketë Komisionin e Rithemelimit në PD si drejtuese politike dhe LSI-në si parti udhëheqëse e koalicionit.
Megjithatë regjistrimi i këtij koalicioni në formën që është depozituar sot në KQZ duket thuajse i pamundur. News24 konsultoi marrëveshjen e këtyre partive me juristë të shquar dhe hartues të ligjit zgjedhor, të cilët u shprehën se regjistrimi i Komisionit të Rithemelimit të Berishës ka zero shanse që të jetë pjesë e fletës së votimit me këtë emër.
Burimet cituan nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor për të dalë në përfundimin se Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i ka “duart e lidhura” për të marrë një vendim pozitiv në favor të Berishës. Në nenin 64 të Kodit Zgjedhor thuhet se në KQZ partitë regjistrohen pasi paraqesin më parë një vendim të Gjykatës së Rrethit. Kjo gjë nuk ka ndodhur me Komisionin e Rithemelimit të Berishës, pasi çështja në Gjykatën e Tiranës për të legjitimuar Kuvendin e 8 Dhjetorit nuk është shqyrtuar ende.
Nisur nga kjo mangësi dokumentacioni, pasoja del në regjistrimin e Berishës në koalicionin me Kryemadhin dhe Ndokën. “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve”, thuhet në pikën e parë të Nenit 65 të Kodit Zgjedhor.
E thënë më qartë, për aq kohë sa lista e Berishës nuk është regjistruar si parti politike, nuk mund të jetë rrjedhimisht as pjesë e një koalicioni parazgjedhor.
Opsionet në tryezën e Celibashit
Pavarësisht këtyre mangësive, brenda pak ditësh kërkesa e Berishës, Kryemadhit dhe Ndokës do të jetë në tryezën e Ilirjan Celibashit për një vendimmarrje.
Burimet e sipërcituara thanë se logjikisht kryekomisioneri ka tre opsione për të vendosur, ku asnjë prej të cilave nuk është miratimi i koalicionit.
Opsioni i parë është rrëzimi i kërkesës për regjistrimin e koalicionit, për aq kohë sa pjesë e tij është një Komision Rithemelimi i paregjistruar në Gjykatën e Rrethit.
Opsioni i dytë, më i mundshmi, është ai i kthimit të dokumentacionit për ta ndryshuar marrëveshjen, ç’ka nënkupton heqjen e Komisionit të Rithemelimit nga pakti.
Opsioni i tretë është një vendimmarrje personale e Celibashit për ta bërë ai “fshirjen” e Komisionit të Rithemelimit nga kërkesa që ka mbërritur tashmë në KQZ.
Lidhur me opsionin e tretë burimet citojnë një precedent të zgjedhjeve të vitit 2021 ku PD-ja kishte depozituar më shumë emra sesa përmbante zona zgjedhore dhe ishte vetë Celibashi i cili i hoqi emrat shtesë. Ky është një opsion i mundshëm, pasi Kolegji Zgjedhor i dha të drejtë Celibashit në atë kohë.