Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti Joe Biden nënshkroi në Uashington një dekret, sipas të cilit të gjitha rezervat valutore afgane të depozituara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bllokohen dhe transferohen në Bankën Qendrore në Nju-Jork.
Shtatë miliardë dollarët e konfiskuar nga Banka Qendrore afgane, të cilat ruhen në Shtetet e Bashkuara, do të përdoren për dy qëllime. Gjysma e parave do të shkojë në ndihmë të afganëve në nevojë, ndërsa gjysma tjetër do të përdoret për familjet e viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Sipas vëzhguesve konfiskimi i pasurive të një shteti tjetër është një veprim tejet i pazakontë.
Pas marrjes së pushtetit nga islamistët në gusht 2021, kriza humanitare në Afganistan është përkeqësuar në mënyrë drastike. Sipas OKB-së miliona vetë janë në rrezik nga uria. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës kanë bërë thirrje për para për ndihma humanitare për shkak të rrezikut të urisë. SHBA do të vërë rreth 3,5 miliardë nga shuma e konfiskuar në dispozicion të këtyre ndihmave.
Dëmshpërblime për viktimat e terroristëve
Kurse pjesa tjetër e parave nga fondet e ngrira të Bankës Qendrore afgane do të mbahen në SHBA dhe do të rezervohen për “viktimat amerikane të terrorizmit” që kërkojnë dëmshpërblim në gjykatë.
“Shumë viktima amerikane të terrorizmit, përfshirë edhe anëtarët e familjeve të viktimave që vdiqën në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, kanë ngritur në gjykatat e SHBA-së padi kundër talibanëve dhe kërkojnë dëmshpëblime që do të paguhen prej fondeve të ngrira të Bankës Qendrore afgane.
9 miliardë dollarë jashtë Afganistanit
Paratë e Bankës Qendrore afgane të depozituara në SHBA u ngrinë pas fitores së talibanëve. Një zyrtar i qeverisë amerikane tha se kur talibanët morën pushtetin jashtë vendit gjendeshin rreth 9 miliardë dollarë nga rezervat valutore afgane. Shtatë miliardë dollarë ishin në SHBA, pjesa tjetër e shpërndarë në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicër dhe vende të tjera./DW