BallinaKryesorePjerin Logoreci: “Ju tregoj problemet e filmit shqiptar”

Pjerin Logoreci: “Ju tregoj problemet e filmit shqiptar”

spot_img
spot_img

Pjerin Logoreci, i njohur me disa botime të rëndësishme, me një karrierë të gjatë në Radio Tirana, vjen për lexuesin me një libër të ri për bazat teknike e artistike të krijimit të filmit. Një libër i mirëpritur dhe u vjen në ndihmë kineastëve, sidomos brezit të ri. Në intervistën e mëposhtme, Logoreci tregon disa nga problemet dhe defektet që ka filmi shqiptar sot, i cili vuan jo vetëm nga ana financiare por ka edhe probleme teknike, të cilat, fatkeqësisht ia ulin shumë cilësinë.

– Botimi juaj i radhës ka të bëjë me filmin. Janë tre botime njëri pas tjetrit mbi filmin, një skenar origjinal anglisht, skenari i filmit vizatimor “Bleta e vogël”, si dhe libri i veçantë «Bazat e krijimit të filmit». Diçka më shumë për këto prurje të reja për lexuesin tonë?

– Po ndalem fillimisht në dy librat e parë. “Yesterday‘s Road” është një skenar i shkruar dhe që filloi xhirimet nga dega e Tv production e Akademisë “Frank H. Peterson”, xhirime të cilat, për arsye të pamundësisë së vazhdimit nga personazhi kryesor u ndërprenë dhe kështu mbeti i parealizuar. Ideja e këtij skenari që është shkruar rreth 10 vjet më parë është e cituar që në fillim “Ju duhet të shihni dhe besoni atë që të gjithë shohin e besojnë.” Atëherë ishte fillimi i përplasjes me të tilla ide në shoqëri. Fatkeqësisht sot këto ide janë hapur shumë aq sa shumëkujt i duket normale humbja e zërit të individit.

Skenari ka edhe Storyboard që në fakt janë skica të bëra nga fotografitë e filmit.

“Bleta e vogël”, është një libër i veçantë që padashur të mburrem se dhe nuk kam arsye, është i pari i llojit të tij në Shqipëri. Përse? Jo për vlera të mijat. Ai përbën brenda skenarin letrar, atë tekniko-regjisorial si dhe listën e montazhit të filmit vizatimor me të njëjtin titull. Kjo e bën të veçantë. Kemi disa botime skenarësh, por jo të tre bashkë.

Filmi është realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” në vitin 1985. Pra libri përmban skenarin letrar shkruar nga unë, skenarin tekniko-regjisorial shkruar nga Vlash Droboniku, një nga krijuesit e filmit vizatimor dhe nga regjisoret më të mirë që kemi dhe Listë montazhi nga Zhaneta Kosturi. Përfitoj nga rasti këtu që të falënderoj Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit e personalisht Eriona Vyshka Kita, për ndihmën që më ka dhënë.

Libri tjetër ishte “Bazat teknike dhe artistike të krijimit të filmit”. Eshtë një libër shumë i nevojshëm për kineastët e rinj dhe jo vetëm. Me kapitujt: Skenari, Kamera, Lentet, Zëri, Montazhi, Ndriçimi. Në të integrohen logjikshëm ana teknike me anën artistike. Me konkretisht, psh. kur flitet për kamerën në aspektin teknik, flitet për sensorin e imazhit, për numrin e kuadrove për sekondë, për madhësinë e figurës, raportin gjerësi-lartësi, ndjeshmërinë, apo diafragmën si dhe raportet në mes tyre, kurse në aspektin artistik flitet për kompozimin e kuadrit dhe lëvizjen e kamerës. Për lëvizjen e kamerës flitet edhe në aspektin teknik ku jepen mjetet që e ndihmojnë lëvizjen e kamerës, si robotët, dronët etj.

Pra kështu është trajtuar materiali në libër, ju do të thoni po skenari. Edhe skenari ka aspektin teknik, cila shkronjë përdoret, çfarë shkruhet me të madhe dhe ku, si dhe anën artistike si struktura, karakteret, dialogu, konflikti e ideja.

-Filmi shqiptar ka disa skenaristë shumë të mirë, por ende sot shkolla jonë (e Lartë) nuk ka një klasë vetëm për të nxjerrë skenaristë? Sa i rëndësishëm është skenari në një film?

– Duke qenë afër me kinematografinë shqiptare sidomos atë të para viteve 90-të, por mund të them që e kam ndjekur me dëshirë edhe më pas, jam dakord me atë që thoni, ne kemi skenariste të mirë. Një pjesë e tyre fatkeqësisht nuk janë më mes nesh, por mund të përmend Ruzhdi Pulahën, si një skenarist, njohës shumë i mirë i dialogut, zhvillimit të ngjarjes, duke rritur intensitetin dramatik në momentin e duhur. Por dhe shumë të tjerë si Vath Koreshi, Nexhati Tafa, Neshat Tozaj, por edhe regjisorët tanë të njohur kanë qenë skenaristë shumë të mirë, po përmend regjisorët: Dhimitër Anagnosti, Kujtim Çashku, Esat Mysliu, etj. Por le ti përgjigjem pyetjes, Sa i rëndësishëm është skenari? Për mendimin tim me një skenar jo të mirë filmi është i dështuar. Pra filmi fillon me skenarin. Dhe nuk e kam thënë unë, por e shoh si shumë të vërtetë thënien e kineasteve, “Pa një skenar të mirë mos fillo xhirimet”.  Ti mund të më kundërshtosh e të më biesh si shembull shumë filma të Hollivudit që kanë patur sukses me një skenar të keq. Është e vërtetë, por bëhet fjalë për një sukses financiar, jo artistik.

– Duket sikur ju i kushtoi më shumë rëndësi dhe hapësira anës teknike në një film? Ka të bëjë kjo me profilin tuaj, apo vërtet këtu çalon filmi shqiptar?

– Jam munduar që në libër të ketë një balancë, të vendosur mbi bazën e rëndësisë, në mes anës teknike dhe asaj artistike, pra jam munduar të përfshij gjerat kryesore si teknike ashtu edhe artistike. Duhet pasur parasysh se ana teknike e pajisjeve është në funksion të anës artistike. Një njohje e mirë e përdorimit teknik të pajisjeve rrit mundësitë artistike. Jam i bindur se mosnjohja e teknikës sjell pasoja serioze në anën artistike. Sa kam vënë re ka probleme që shfaqen në ekran nga mosnjohja teknike e kamerës dhe e lëvizjes së saj. Ndoshta kjo vjen se nuk kemi një vazhdimësi nga e kaluara. Dikur në “Kinostudio Shqipëria e Re” për një film përdorej një kamera e cila kishte një lente, kishte një madhësi figure, një numër kuadrosh për sekondë dhe një ndjeshmëri, që ishte ajo e celuloidit. E vetmja gjë teknike në dorë të operatorit ishte diafragma. Por sot nuk është ashtu. Pra a e njohin operatoret teknikisht kamerën? Po lentet? p.sh., a e di operatori se dy skena në vazhdim te njëra-tjetrës nuk xhirohen me kamera me lente me gjatësi te ndryshme fokale. Pra shkurt operatori nuk është thjeshtë ai që shtyp  butonin e regjistrimit në kamera, si dhe drejtori i fotografisë nuk është ai që e kompozon kuadrin siç i teket, apo se kështu i duket bukur, pa pasur të qartë se përse ka bërë këtë kompozim, ose përse kamera lëviz ashtu.

– Me aq sa e keni ndjekur ju filmin shqiptar, sa nevojë ka ai sot për të kapur standardet bashkëkohore të perëndimit?

– Pa dashur të bëj një analizë konkrete, por duke folur në përgjithësi, mendoj se në filmin shqiptar sot, ka disa probleme që shihen:

1- Skenari. Unë mendoj se mungon ritmi, shpesh bazohet në një ngjarje, por nuk ka një strukturë të qartë, rrjedhimisht nuk del mirë konflikti si dhe uljet e ngritjet e tensionit që mbajnë të mbërthyer spektatorin në ngjarje.

Me kujtohet një ngjarje në një film festival në Amerikë. Ishte paraqitur një film shqiptar, kishin ardhur edhe disa autorë. Salla si zakonisht kishte njerëz të lidhur me filmin dhe artin. Pas filmit, një nga autorët e filmit foli për ngjarjen dhe trajtimin artistik. Njeri prej të pranishmëve u çua dhe tha: “Unë tani e kuptova filmin”. Pra kemi mosdhënien e qartë të idesë.

2- Shpesh në realizimin e skenave mungojnë elemente të nevojshme që plotësojnë skenën për ta bërë sa me reale. Le ta shpjegoj më mirë. P.sh., skena zhvillohet në një kafe, ku protagonisti ynë do të hyje për të takuar dikë. Por kafja nuk është bosh, në të kanë hyrë, hyjnë e brenda lëvizin njerëz. Kjo mungon. Mungon ai që i zë rrugën padashur personazhit, ata që hyjnë e dalin, mungon gjithashtu edhe kolona zanore. Në një bar ka shumë zhurma, fillon zhurma e mjedisit, ekspresi, larja e filxhanëve, zërat që porosisin, bisedat nga largësi të ndryshme, zhurma e derës që hapet e mbyllet, muzika në sfond etj.

3- Problemet me zërin. Duke vazhduar problemet me zërin që thashë më sipër, kemi probleme në miksazh dhe në montazh. Standardi në kinema për zërin është Dolby 5+1 (tani po shkohet drejt Dolby Atmos), që do të thotë se ka 5 kanale zëri dhe 1 për frekuencat e ulëta. Në filmin shqiptar përgjithësisht (se ka disa përjashtime) vazhdon të punohet me dy kanale.

4- Mungon Korrektimi i ngjyrave (Color correction) si dhe Vlera e ngjyrave (Color grading). Një pjesë mendojnë se përderisa në filmin shqiptar xhirohet me një kamera nuk ka nevojë për këto. Kjo nuk është e vërtetë dhe tregon mosnjohje. Korrektimi i ngjyrave nuk ka të bëjë vetëm me vendosjen në të njëjtat parametra të ngjyrave të disa kamerave, por edhe parametrave të një kamere por xhirimeve në mjedise të ndryshme (p.sh një skenë natën dhe një ditën, një skene jashtë e një brenda, njëra në qytet e tjetra buze detit). Kurse për color grading, qe ka te beje një nuance apo ngjyre të filmit por edhe skenave te ndryshme sipas idesë, apo gjinisë, apo asaj qe ka dashur te shprehe autori e regjisori. Për këtë as që bëhet fjalë në Shqipëri. Por sot nuk ka asnjë film të huaj serioz që nuk kalon nëpër këtë proces.

5- Ndriçimi. Për mendimin tim ndriçimi ka rëndësi shumë të madhe në film. Kam parë disa filma, që ngjajnë me telenovela, apo spektakle televizive për nga ndriçimi. Mungon dritëhija.

6- Montazhi. Nuk shoh probleme serioze në film, por në dokumentarë, mendoj se nuk i jepet rëndësi. Shpesh të duket se ato janë montuar me programe që përdoren për dasma (kam parasysh tranzicionet).

Unë e kuptoj se studiot tona janë të vogla dhe për mungesa të ndryshme, kryesisht parash, nuk arrijnë të bëjnë shumë gjëra, ose shumë i bëjnë me mangësi, por mendoj se një pjesë e madhe e këtyre mund te eliminohet, poqese merren njerëzit e duhur. Dhe këto njerëz janë në Shqipëri.

Një tjetër ndihmë vjen nga bashkëbisedimi apo vënia në dukje e të metave në filmat tanë, duke bërë vërejtje me takt e duke analizuar filmat, qoftë edhe shoqërisht e jo hapur. Por kurrë siç veprohetë Thuhen vetëm fjalë të mira, në skenë a ekran dhe në kafe thuhet thjeshte “S’kishte bërë gjë!” E kuptoj se vërejtjet nuk pëlqehen, por ndihmojnë për të ecur përpara.

– Për kamerën, figurën dhe zërin, ju jeni zgjeruar disi më shumë. Edhe në këtë drejtim kineastët tanë shfaqin mangësi… Si mendoni ju, sa e njohin ata këto komponete të rëndësishme?

– Është e vërtetë. Disa anë të kësaj pyetje i preka edhe më sipër. Filmi është i përbërë nga shumë teknikë dhe shumë arte të shkrirë. Kamera është ajo që kap, gjithë atë punë të madhe të bërë nga shumë sektorë përpara. Kamera dikur ishte shumë e thjeshtë, vetëm diafragma dhe lentet ndryshoheshin, por sot është ndryshe. Ka shumë parametra që duhet të ndryshohen kur punon me një kamera ose duhet të vendosen kur punon me shumë kamera, në vartësi të skenës e vendit që do të xhirohet. A e njeh operatori kamerën dhe lentet për të marrë prej tyre maksimumin në një skenë? Kjo është një pyetje që vështirë se mund ti japim një përgjigje të saktë, por dyshoj shumica nuk e njohin. Po ju bie një shembull në Tiranë para disa vitesh, me duhet te punoja me dy operatore, duke qene se kamerat ishin profesionale, dihet se edhe codeket që përdorin sigurojnë cilësi të lartë, por duke pasur parasysh se për çfarë do te me duhej filmimi unë i pyeta ata se sa megabit për sekonde ishte e vendosur qe te xhironte kamera, pasi ky parametër mund te jete i ndryshueshëm. Ata nuk e dinin se çfarë ishte.

Po kështu edhe montazhin, ndriçimin dhe zërin.

Ju e dini se ne historikisht kemi pasur probleme me zërin qoftë në kinostudio ashtu edhe në televizion.

Televizioni tani është shumë mirë. Dhe mendoj kjo ndodh se ka standarde që zbatohen. Në film nuk janë vendosur standardet ndërkombëtare.

– Sa mendoni se ju vjen në ndihmë libri juaj studentëve të filmit apo kineastëve të rinj ?

– Mendoj se libri është një guidë, për të studiuar më shumë në lidhje me fushën dhe në disa raste me fushat që i duhen. Sigurisht është një libër që mendoj se duhet të lexohet nga studentet e filmit apo kineastët. Por duhet kuptuar që është një libër ku janë prekur gjërat kryesore. P.sh., Po qe se në kapitullin e montazhit flitet për editorin Adobe Premiere Pro, duhet ditur se ka disa editore. Po qe se aty tregohet disa nga gjërat që bën ky editor, nuk thuhet se si bëhen. Pra është një libër që të jep disa njohuri të cilat duhen specifikuar e zgjeruar për të arritur diçka. Gjithashtu në libër ka disa referenca që të japin mundësinë për të gjetur materiale më të gjëra në atë fushë. Sigurisht në libër ka edhe gjëra që nuk janë trajtuar dhe që janë shumë të rëndësishme p.sh. miksazhi, kodeket etj. etj. Por unë mendoj se libri është një guidë e studenteve dhe të pasionuarit autodidakte.

Cili do ishte mesazhi juaj?

Mendoj se nëse nuk e shohim filmin si një krijim të madh tekniko-artistik, nuk do të arrihet sukses. Shpresoj që ndokush do të përfitojë nga ky libër.

Intervistoi: Flori Slatina

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular