BallinaAktualitetInceneratorët/ VOA: Kompania deklarohet me fitim, por administratorët thonë se i gjetën...

Inceneratorët/ VOA: Kompania deklarohet me fitim, por administratorët thonë se i gjetën arkat e zbrazura dhe me borxhe

Në Tiranë, komisioni hetimor parlamentar për incineratorët vazhdoi sot me dëgjimin e dëshmive të dy administratorëve të kompanive që menaxhojnë impiantin e mbetjeve urbane të Elbasanit.

Komisioni i kryesuar nga opozita ka në planin hetimor të marrë dëshmitë e 28 zyrtarëve shtetërorë e privatë, kryeministrin Rama, ministra dhe ish ministra, që kanë dhënë lejet për 3 incineratorët në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Administratorët e kompanive Albtech Energy dhe Integrated Technology Services, të dyja pjesëtarë të incineratorit të Elbasanit, dhanë sot detaje të reja lidhur me funksionimin e këtij impianti, për të cilin lejet dhe procedurat kanë nisur 6 vjet më parë, por ende energjia e tij nuk shitet.

Kompania deklarohet me fitim, por në tabelat financiare ka ende shpenzime të mbartura. Të dy administratorët e caktuar nga shteti pohuan se i gjetën arkat e kompanive thuajse të zbrazura dhe me borxhe të prapambetura.

Ata pohuan se është SPAK që po heton se çfarë ka ndodhur me pasuritë e dy kompanive të bashkuara në incineratorin e Elbasanit.

Administratori Farudin Arapi thotë se kompania ka marrë një kredi sovrane për pagat që ende nuk e ka shlyer, por problem kryesor është bllokimi i shitjes së energjisë së prodhuar nga incinerator.

“Shoqëria Albtech, nëse do të kishte realizuar edhe me çmimin e energjisë elektrike 8.3 lekë për kilovat, aq më tepër me çmimin 12.5 lekë për kilovat, që është emergjia e rinovueshme e pretenduar nga Albtech shpk, do të ishte në gjendje më të mirë financiare. Të gjithë incineratorët që prodhojnë energji elektrike nga djegia në impiantet e përpunimit marrin një vlerë me 12 lekë kilovatorin. Kjo do të bënte që të përballonte shpenzimet, por sot do të ishte me fitim. Po ashtu do të dilte me fitim edhe me 8.3 lekë kilovatorin” – tha para komisionit Farudin Arapi, administrator i Integrated Technology Services.

Enti Rregullator i Energjisë ERE nuk e ka licensuar Incineratorin e Elbasanit si prodhues energjie, ndaj ka mbetur pezull kontrata e shitjes së energjisë dhe kompania Albatech është ankuar në gjykatën administrative.

ERE nuk është përfshirë në caktimin e çmimit të energjisë, dhe u krijuan mosmarrëveshje në çastin e licensimit.

Sipas administratorëve, impianti i Elbasanit në këto momente bën vetëm gropsojen e mbetjeve urbane, dhe nuk prodhon energji, sepse nuk ka ku ta dërgojë, ndonëse është lidhur në rrjetin energjitik dhe çështja është në gjykatë.

Ndërsa kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, cilësoi procedurat e ndjekura si pjesë e një skeme piramidale mashtrimi, përmes të cilës është abuzuar me fondet publike në miliona euro.

“Elementi që ngriti zoti Arapi është mosdakordësia për çmimin e energjisë 8.3 apo 12.5 lekë për kilovatorë. Gjatë miratimit të kontratës koncensionare për Elbasanin nuk është marrë miratimi i ERE-s për çmimin e energjisë. Kushdo ministër infrastrukture dhe energjie që ka dhënë leje për impiantin e energjisë pa marrë miratimin e ERE-s ka kryer shkelje. Për këtë arsye sot ERE nuk bie dakord, sepse kjo kontratë koncensionare në procedurë të saj duhet të kishte marrë edhe një leje nga ERE për shitjen e energjisë” – tha zonja Tabaku.

Komisioni pyeti dje adiministratoren e Incineratorit të Tiranës, për të cilin zonja Tabaku tha se pagesat filluan 2 vjet para se të nisnin punimet, se djegia për të prodhuar energji nuk ka nisur impianti paguhet 29 euro për ton qysh prej 2018, krahas shumë shpenzimesh të tjera si udhëtime të shumta dhe paga të pajustifikuara.

Klodian Zoto, Stela Gugallja janë shpallur në kërkim, pas arrestimit nga SPAK të ish ministrit të mjedisit Lefter Koka për rryshfete deri 3. 7 milionë euro dhe pastrim parash.

Në planin hetimor të komisionit janë edhe kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, të cilët janë shprehur të dy njëlloj se përgjegjsitë e secilit zyrtar para ligjit janë individuale dhe se zoti Koka duhet të përgjigjet vet para akuzave të SPAK, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Po ashtu do të pyeten nga komisioni ish ministrat Damian Gjiknuri, Shkëlqim Cani dhe Lefter Koka, kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj dhe bashkiakë të tjerë në Elbasan e Fier.

SPAK dhe Kuvendi po hetojnë paralelisht për atë që po vlerësohet si afera më e madhe korruptive e dekadave të fundit, ndërsa vlera e 3 incineratorëve shkon në afro 430 milionë euro./VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular