“Afera 430 milionë euroshe e inceneratorëve”: Basha: Edi Rama përbën një pengesë për hetim serioz dhe të besueshëm,nuk mund të jetë më asnjë orë të vetme kryeministër
Tani me logjikë të ftohtë më thoni: a ka vend ku vepron drejtësia, ku drejtësia i ka duart e lira, ndërkohë që kryeministri i vendit është kapur vetë në krye të një afere 430 milionë euro? A mundet drejtësia ta bëjë punën e saj? A mundet prokuroria, ëcia gjyqësore ta bëjë punën e saj? A munden hetuesit ta bëjnë punën e tyre? Si ua ha mendja? Po të ishte e pavarur?
Sigurisht që ne do të shtyjmë dhe do të mbështesim çdo hap që godet korrupsionin, për këtë s’ka asnjë diskutim. Por çfarëdo drejtësie të ishte, më besoni, edhe në vendin më të zhvilluar të botës, e ka të pamundur të veprojë , kur një njeri me kaq shumë pushtet, siç është kryeministri i vendit, është në mes të aferës? Dhe çfarë ka ndodhur? Kryeministrat kanë dhënë dorëheqjen me më pak se aq, për ti hapur rrugë hetimit. Aq më shumë ata që e deklarojnë veten të pafajshëm! Aq më shumë ata që thonë nuk e dija unë që gjysma kabinetit paska ngjyer gishtin prapa shpinës time! Sikur për asgjë tjetër, vetëm për faktin që njëri pas tjetrit, ministrat e tij, sekretari i tij i përgjithshëm, si i partisë, edhe i kryeministrisë, të dy, drejtorët e përgjithshëm, po dalin të përfshirë në këtë aferë. Vetë qenia e Edi Ramës në krye të qeverisë, përbën një pengesë për një hetim serioz dhe të besueshëm. Edhe sikur ky të ishte duar-jashtë. Edhe sikur ne ta donim fort. Thjesht dhe vetëm për parimin më të shenjtë të drejtësisë, që nuk mund të veprojë, dhe nuk po vepron. E kundërta po ndodh. Dhe dua ti bëj sonte, dua ti bëj sot një thirrje, këtu nga Kamza; hiq dorë nga kërcënimi i prokurorëve të SPAK-ut! Ta dëgjojë mirë këtë mesazh, dhe ta kuptojë që nuk ka gjë që s’merret vesh. Hiq dorë nga kërcënimi i prokurorëve të SPAK-ut! Por kjo është një arsye më shumë, se pse Edi Rama nuk mund të jetë më asnjë orë të vetme, kryeministër i Shqipërisë.