Nga Bujar Leskaj
Si sot 31 vite më parë 723 studentë e pedagogë të ngujuar në Grevën e Urisë, me kërkesën për heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti, të mbrojtur nga qindra studentë të tjerë, mijëra banorë të Tiranës e Shqipërisë, në një akt patriotik, demokratik, sublim e konfrontim të drejtpërdrejtë me diktaturën ndryshuan Historinë!
723 studentë kishin marrë parasysh çdo gjë!
Tre ditë vetëm me cigare dhe ujë… Por me shumë guxim, vendosmëri e ëndrra! Dhe në anën e duhur të Historisë!
Derisa qytetarët e Tiranës sollën zvarrë kokën e monumentit të rrëzuar të diktatorit Enver Hoxha.
723 studentë që nuk ndryshuan vetëm Shqipërinë!
Ndryshuan jetën e shumë, shumë njerëzve.
Që mbrojtën me gjithë forcat një çështje, një kauzë, që për baballarët tanë ishte e humbur. Dhe vërtetuan se asgjë nuk shkon dëm.
Dhe unë sot dua të krenohem për atë ç’ka arritën studentët atë Shkurt të zjarrtë.
Dolën në ballë të epokës, të një epoke, që, ndoshta kërkonte prestigjiatorë.
Dhe ata…, pa ulërima dhe pa lajka, i thanë gjërat me emrin e tyre. U ndeshën me konservatorizmin dhe forcat regresive qeverisëse të Shqipërisë. Dhe paraqitën një propozim tjetër për atdheun. Propozuan dhe ofruan demokracinë, lirinë e besimit, mendimit, fjalës, veprimit…
Respekt e mirënjohje për ata studentë e pedagogë të guximshëm e demokratë, të cilëve Historia u ka borxh!
Respekt e mirënjohje për ata studentë që nuk kërkuan që rreth tyre të thurreshin legjenda e mite, që luftuan që të shemben njëherë e mirë idhujt e mitet e rremë.
Respekt e mirënjohje për të gjithë prindërit e studentëve grevistë, që u bënë gardh për mbrojtjen bijve e bijave të tyre, por edhe për të gjithë ata qytetarë të Tiranës, që nën thirrjen e Rajmonda Bulkut, aktores sonë të madhe, përcollën mesazhin e solidaritetit dhe ndryshimit në mbarë Shqipërinë!
Respekt e mirënjohje për të gjithë studentët vlonjatë të Dhjetorit ’90 e Shkurtit ’91!