Nga Alfred Duka
Nesër zhvillohet “sondazhi” me numrin më të madh të personave në historinë e zgjedhjeve lokale. Në fushë janë hedhur katër forca të ndryshme politike me tre përfaqësues, në rreshtimin një plus një, plus dy për një, rreshtim i pa ndodhur deri më sot në kësi përballjesh, për një afat një vjeçar! Çfarë rendësie ka kjo lojë politike krejt e pazakontë? Pothuajse asgjë për fatin e qytetarëve shqiptarë as të bashkive votuese, por me një rëndësi të madhe për demokratët e gjithë Shqipërisë. Në një farë kuptimi, priten të vjelat e farës së mbjellur nga Edi Rama, si qyqja e vezëve në çerdhen demokrate. Nga ana tjetër, kemi një qyqe tjetër që ka vendosur gjysmën e vezëve demokrate, në çerdhen e LSI, të lyer me bojë blu, e shpallur si Shtëpia e lirisë. Dhe e fundit PD zyrtare, në luftë me të gjitha, por që betejën e ka me gjysmën e vet për fatin e saj të së nesërmes. Për këtë të fundit treshi për dy, është trekëndëshi i Bermudës, por që ky trekëndësh ka gjysmën e një brinje të veten, të shkulur me forcë prej saj, në pritje për ta fituar, a shkuar edhe vetë tek ajo dhe, për tu plotësuar pazëlli natyral i politikës së shpifur të tre dekadave të fundit, përfundimisht.
Renditja në këtë sondazh që nuk luhet për vendin e parë, merr rëndësi të veçantë vendi i dytë, i cili është shumë më i rëndësishëm se vetë i pari!!! Historikisht, zgjedhjet parciale, i fiton pushteti, për arsye që dihen dhe që janë provuar disa herë, por kësaj radhe vendi i parë, nuk është më vendi i parë, por i dyti! Dmth politike shqiptarësh or Tungjatjeta. Nuk ka ekzistuar ndonjëhere që të prishet rendi rendor, por a kemi lënë gjë pa prishur e shkatërruar në shqipot? Edhe numerologjinë e kthejmë përmbys! I dyti, më i madh se i pari!
Zakonisht, zgjedhjet lokale kanë një qëllim-testimin e gjendjes së forcave politike dhe në eventualitetin e fitores së opozitës, kësaj të fundit i lind e drejta për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, por që kësaj radhe ka një bast tjetër-fituesi i këtyre zgjedhjeve është fituesi i vendit të dytë, që i hap rrugën, jo kërkimit të zgjedhjeve të parakohshme, ajo punë pret, por fitimit të PD! Kjo nuk pret më! Por ka një problem: mëtuesi i vendit të dytë, nuk është vetëm gjysma e shkulur nga PD, por edhe LSI e plotë si “Çerdhebashkëmbajtëse” të tij vezëve blu, zaten, gojet e liga thonë edhe për PSD, që luan në hije, për të mos futur ca të pista fare, që thonë edhe për do këshilla nëndore të vetë Edi Ramës, sidozot pat bërë në Vorë, për të mos thënë tjetër kund, athere kundër LSI, sot me çerdhen e saj, brenda së cilës gjenden vezët blu, pra që nuk e ka për herë të parë kësi marifeti, marifet i cili është përcaktues për të, për të ardhmen e tij politike, pasi përcakton përçarjen, e cila është sot e gjithë ditën në kulmin e saj, por edhe ndarjen përfundimtare të forcës politike që ja kërcënon atë, pushtetin e tij. Nesër në darkë do të kemi një përllogaritje të ngatërruar. Nëse fiton PD, vendin e dytë jua ngas llafin, gjysma e brinjës së bashkuar trekëndëshit, do të shpallë të stigmatizuar shenjën e “bashkëpunimit” të saj me Ramën, kjo është e gatshme jo në xhepin e Berishës, por në thilenë e xhaketës së tij, nga ana tjetër, nëse vendin e dytë e fiton Shtëpia e lirisë, kjo e fundit nuk do ti lë kohë PD, për të bërë ca përllogaritje se sa vota ishin të saj dhe sa të Metës së Dy Marsit, apo të atyre gojëve të pista që thonë për Ramën, por do të rinisë Revolucionin Paqësor Demokratik, për të vazhduar Tetë Janarin e ndërprerë me dhunë! Apo nuk është edhe koha e vet, në këto momente për kësi ziafetesh?! Kush e ka apo vret mendjen për nahijen tonë në këso ditësh ku Planetit i kanë hy të dridhurat, or Tungjatjeta? Askush. Nuk thonë kot se në këto tridhjetë e kusur vitesh, dy janë njerëzit më me fat në këtë vend. Ndoshta janë edhe më të zotët.
Rama Vëzhgon.