Një orë pas ngjarjes së rëndë ku u gjetën të vrara dy shtetase në fshatin Progër të Devollit, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes.
Burimet bëjnë me dije se autori i dyshuar është shtetasi Ali Zili, banues në të njëjtin fshat.
Fatmira dhe Bukurie Bami u gjetën të pajeta pasditen e sotme në banesën e tyre. Nga këqyrja parakprake, në trupin e tyre u konstatuan shenja dhune me sende të forta.
Paraprakisht dyshohet për një tentativë grabitje ku autori i ka marrë jetën nuses dhe vjehrrës pas përleshjes gjatë tentativës për vjedhje në banesë.
Devoll
Informacion paraprak
Policia identifikon dhe kap në kohë rekord, autorin e dyshuar të vrasjes së dy shtetaseve në fshatin Progër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, pas njoftimit të marrë se në fshatin Progër, Devoll, ishin gjetur të pajeta dhe me shenja dhune në banesën e tyre shtetaset F. B., dhe B. B., menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
Falë reagimit të menjëhershëm, veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, krehjes së zonës dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin A. Z., 36 vjeç, banues në fshatin Progër.
Ky shtetas dyshohet se ka hyrë për të vjedhur në banesën e viktimave dhe kur ka hasur në rezistencën e tyre, i ka dhunuar ato me sende të forta duke ju shkaktuar vdekjen.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.