71 persona dyshohet se duke punuar në një call centre në Tiranë kanë ndërtuar një skemë mashtrimi nëpërmjet të cilës kanë përfituar qindra mijëra qytetarë gjermanë dhe të shteteve të tjera.
Skema funksiononte që prej vitit 2018. Gjatë këtij operacioni policia ka arrestuar 15 persona, 25 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 21 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për BalkanWeb se mes të arrestuarve është dhe administrator i call centres Erjon Kasmi dhe programuesi elektronik Xhuljan Xhafa.
Mashtrimi bëhej nga një call centre i emërtuar “Blu energy Call”, i cili kishte 8 filiale ku zhvillonte aktivitetin. Call centre ishte regjistruar në QKB dhe funksiononte në Shqipëri që prej prillit të vitit 2017 me filial kryesor në zemër të Tiranës në një qendër tregtare tek Rruga e Kavajës.
Ajo që bie në sy është se kjo kompani ka ndërruar shpesh here vendndodhjen dhe administratorët të cilët që prej 2017 janë ndërruar 5 herë. Emërimi i administratorit të fundit është bërë më pak se një muaj më parë ku është emëruar Redian Kuka.
Gjatë operacionit policia kontrolloi 8 ambiente e këtij call centri dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë Voip, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione etj.