Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me Autoritetet Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg, Sektorin Qëndror Cybercrime Bayern Gjermani, në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.300/2021 dhe në zbatim të Vendimit nr.359 datë 05.10.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka kryer hetime intesive në drejtim të veprës penale “Mashtrim kompjuterik, në kuadër të grupit të organizuar kriminal”.
Në këtë kuadër, me datë 16.03.2022 është ushtruar kontroll në 8 (tetë) ambjentet e subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, rruga e Kavajës, Condor Center, në Tiranë.
Gjatë kontrollit është arritur sekuestrohen pajisje kompjuterike, sisteme elektronike dhe prova të tjera materiale që dokumentojnë se subjekti “BLUENERGYCALL SHPK” me seli në Tiranë, i cili ushtronte aktivitetin e “Call Center”, në platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.
Pas analizimit dhe vlerësimit të provave të grumbulluara është bërë ndalimi i 15 (pesëmbëdhjetë) shtetasve dhe konkretisht administratorit të subjektit E. K., shtetasit Xh. Xh., me funksion IT-programues elektronik dhe 13 shtetasve të tjerë me funksion “Retention (menaxherë të sallave)” të subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 143/b, 28 pika 4 dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe fakteve objekt hetimi dhe evidentimit të gjithë shtetasve apo subjekteve tregëtare të përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm.
Vijon….