Gjykata pritet të shqyrtojë nesër, 25 mars regjistrimin ose jo të Statutit të 11 dhjetorit.
Ndryshimet në Statut u dërguan nga Komisioni i rithemelimit të PD-së, pas Kuvendit të 11 dhjetorit të mbajtur në stadiumin “Air Albania.”
Burime për Ora News bëjnë me dije se seanca pritet të fillojë në orën 10:30.
Disa nga ndryshimet që u propozuan në Kuvend:
1- Menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij Statutit dhe deri në përfundim të konstituimit të organeve të reja sipas tij parashikohet ngritja e një Komisioni të Përkohshëm të Rithemelimit që merr drejtimin e ekzekutiv të PD-së.
2- Periudha tranzitore nuk duhet të jetë jo më shumë se 4 muaj.
3- Komisioni përbëhet nga 15 anëtarë që zgjidhen nga Kuvendi kombëtar.
4- Çdo akt i organeve të PD-së i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit.
5- Një nen i veçantë është edhe për procesin e zgjedhjeve. Procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimi i anëtarësisë ekzistuese.
6- Zgjedhjet brenda PD-së do të nisin nga baza dhe përfundojnë në qendër.
7- Këtyre rregullave do t’i nënshtrohet dhe procesi i zgjedhjes së kryetarit të partisë sipas parimit një anëtar një votë.