Ish-kryeministri Sali Berisha ka rikonfirmuar kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike. Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha fton të gjithë ata që duan të kandidojnë në një garë të hapur dhe të ndershme.
Berisha e vuri theksin tek rëndësia e ngritjes së institucioneve të PD-së, teksa shton se demokratët presin që ata të dalin sa më parë në betejë me kryeministrin Rama.
“Që të të them se më detyron të përsëris përgjigjen, padiskutim që unë do të jem. Do të jem në garë të hapur dhe ftoj cilindo koleg, deputet, jo deputet që dëshiron të garojë. Është i mirëpritur në një garë të hapur dhe të ndershme. I ftoj ata që kanë ndërmend të kandidojë, të përcaktojë çfarë duan, dhe do i garantoj që do jetë gara më e hapur ndonjëherë. Nuk vendos më Sali Berisha për veten e tij. Vendosi 6 Marsi, vendosi lëvizja unike në llojin e saj që filloi. Anëtarësia ka në dorën fatin e partisë. Anëtarësia ka në dorë fatin tim.
Unë kam diskutuar me një numër të madh të kryetarëve. Problemi i tyre ishte shtyrja e datës së zgjedhjes së kryetarit. Duhet të kuptohemi. PD në këtë formë si është sot ka vetëm një institucion, Grupin parlamentar dhe komisionin e Rithemelimit. Por ky i fundit është i përkohshëm. PD ka nevojë jetike për institucionet e saj. Për këshillin kombëtar. Demokratët duan ta shohin PD në betejë me Edi Ramën” – tha Berisha.
Duke folur për situatën e rritjes së çmimeve, Berisha deklaroi se populli po pret valën tjetër të protestave dhe ajo do udhëhiqet nga PD.
“Shqiptarët po përballen me rritjen e çmimeve. Populli pret valën tjetër të protestave dhe ajo do udhëhiqet nga Partia Demokratike. Një vjedhje e tmerrshme po bëhet me energjinë elektrike. Ju e dini mirë çfarë do të thonë monopolet në Partinë Demokratike” – tha Berisha.