BallinaEkonomiKadastra e Durrësit/ Artan Lame paralajmëron skandal me pronat: Do bllokojmë pasuritë...

Kadastra e Durrësit/ Artan Lame paralajmëron skandal me pronat: Do bllokojmë pasuritë me probleme

ADA HAZIZOLLI/ Kreu i Kadastrës, Artan Lame, paralajmëroi bllokimin e mijërave pasurive, të cilat janë identifikuar me probleme.

Deri në pastrimin e dokumentacionit, nuk do të kryhet asnjë veprim mbi to.

PROBLEMATIKAT

Situata paraqitet kaotike në Drejtorinë e Durrësit, ku rezulton se në regjistrat e arkivit mungojnë me qindra fletë, disa janë zëvendësuar, disa janë grisur dhe një pjesë tjetër janë të dubluara.

“Arkivi ka 1063 regjistra dhe nga këto 152 regjistra të pasurive të paluajtshme janë në gjendje të mirë, të tjerët paraqesin prekje dhe ndryshime brenda tyre. Në këto regjistra mungojnë 730 fletë. Rezultojnë 243 faqe të zëvendësuara, kanë hequr një faqe dhe e kanë zëvendësuar me faqe tjetër me atë që e kanë fantazuar. Dhe kjo tregon makutërinë dhe mungesën e frikës, faqet e tjera tregojnë shtypshkronjën, kurse ato që janë zëvendësuar jo.

Mjafton të marrësh një nga këto regjistra dhe shikon që fleta nga fleta ndryshon. Kushdo që ka punuar qoftë edhe një ditë të vetme në administratë, e di që regjistrat sekretohen, lidhen në mënyrë të pahapshme dhe nuk duhet të preken. Ti mund të shkruash dhe të fshish, por jo të heqësh faqe. Rezultojnë 569 faqe të dubluara”, tha Lame.

Të gjitha këto problematika kanë dalë në pah pas projektit të digjitalizimit që ka nisur fillimisht në Tiranë, Durrës e Lushnje e që do të shtrihet gradualisht në të gjithë vendin. Kreu i Kadastrës bëri të qartë që pasuritë me probleme do të bllokohen. Këtë fat, nuk do të kenë vetëm tokat dhe shtëpitë në Durrës, por çdo pasuri në të cilën do të vihet re mangësi apo parregullsi.

SITUATA NË DURRËS

Nga inventarizimi në Drejtorinë e Durrësit zonat më problematika janë ato përgjatë fashës bregdetare. Lame tha se është hartuar një raport i detajuar dhe se punonjësit e përfshirë do të përgjigjen përpara drejtësisë.

“Regjistrat e zonës bregdetare janë më problematike, zona e plazhit, Spitallës, Lalzit e Rodonit.  Përgjegjësia për këtë situatë është e të gjithëve, e kujtdo që ka punuar në këta sektorë. Mjaft më me këtë histori dhe këtë situatë. Mos e thoni se ku janë zyrat e Kadastrës, qytetari duhet të aplikojë dhe të presë shërbimin në ‘e-Albania’. Arkivi sot është i inventarizuar.

Raporti është 600 faqe dhe ka të dhëna çfarë mungon dhe çfarë nuk mungon dhe askush nuk mund të vërë dorë pa lënë gjurmë. Ka sistem kamerash dhe sistem të mbrojtjes. Ky material do t’i përcillet edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe zyrës së Kryeministrisë. Vetë drejtoria është gjendur nën sikletet e bërjes së kësaj pune, sikurse edhe unë nga ata që nuk e donin të bëhej këtë gjë”.

DIGJITALIZIMI

Prej fillimit të këtij viti, ka marrë jetë edhe projekti për digjitalizimin e arkivave. Janë mbi 4 milionë pasuri, dokumentacioni i të cilave do të skanohet. Ky proces ka nisur fillimisht në Tiranë, Durrës e Lushnje për t’u zhvendosur më pas në qytetet e tjera.

“Çdo pasuri në Kadastër ka tri elemente, si kartela, referenca dhe hartografia. Nga 4 milionë pasuri në Kadastër, vetëm 2.8 milionë prej tyre kanë referenca. Kjo është absurde, pasi nga 1996-2010, regjistrimet fillestare kanë pasur mangësi, sidomos në fshatra nuk është hapur referenca për pasurinë. Për pasuritë shtetërore, që është problem i trashëguar, nuk regjistroheshin, ose nuk hapej kartelë.

Nga 2.8 milionë referenca, vetëm 700,000 pasuri kanë dosjen e plotë të regjistruar pas vitit 2014, ndërsa për pasuritë e tjera është bërë vetëm skanimi i dosjeve. Projekti që po nisim përfshin skanimin e të gjitha referencave të pasurive të paluajtshme, pra e gjithë dosja historike me dokumentet origjinale. Faza II është skanimi dhe digjitalizimi i kartelave të pasurisë që aktualisht janë manuale. Kjo do të sjellë që sa herë që bëhet aplikimi shërbimi ofrohet automatikisht. Projekti do të zgjasë 2 vjet. Fillimisht, do të zbatohet për Tiranën dhe zonat bregdetare në vitin 2022”, ka thënë më herët kreu i Kadastrës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular