Presidenti rus, Vladimir Putin po mashtrohet nga këshilltarët e tij, të cilët frikësohen që t’i tregojnë se sa keq po shkon lufta në Ukrainë, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, inteligjenca britanike deklaroi se trupat ruse në Ukrainë janë të demoralizuara, nuk kanë pajisje dhe refuzojnë të zbatojnë urdhrat.
SHBA-të thanë se Putinit gjithashtu nuk iu është treguar mbi ndikimin e plotë që kanë pasur sanksionet në ekonominë ruse.
“Kemi informacione se Putini është ndjerë i mashtruar nga ushtria ruse, dhe kjo ka rezultuar në tensione të vazhdueshme mes tij dhe udhëheqësve ushtarakë të Kremlinit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield.
“Lufta e Putinit ka qenë një gabim strategjik që e ka bërë Rusinë më të dobët dhe gjithnjë e më të izoluar në skenën botërore”, vazhdoi ajo.
Ndërsa zëdhënësi i Pentagonit John Kirby u shpreh: “Tjetër gjë është se ju nuk e dini se si do të reagojë një lider si ai ndaj marrjes së lajmeve të këqija”.
Forcat ukrainase kanë filluar përpjekjet për të rimarrë disa zona të pushtuara nga trupat ruse, teksa Kremlini tha të martën se do të zvogëlonte operacionet rreth Kievit dhe qytetit verior të Chernihiv.
“Kemi parë ushtarët rusë, të paarmatosur dhe të demokralizuar, që refuzojnë të zbatojnë urdhrat, sabotojnë pajisjet e tyre, madje rrëzojnë aksidentalisht avionët e tyre”, tha kreu i agjencisë së inteligjencës kibernetike të Mbretërisë së Bashkuar GCHQ, Jeremy Fleming në një fjalim në Universitetin Kombëtar Australian në Canberra.
Bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës do të rifillojnë online më 1 prill, sipas negociatorit ukrainas David Arakhamia.
Ai tha se Ukraina kishte propozuar që liderët e të dy vendeve të takoheshin, por Rusia refuzoi, duke thënë se duhej më shumë punë për një projekt-traktat.
Ndërkohë, Zelensky i karakterizoi bisedimet si “vetëm fjalë”, pas një vlerësimi të ngjashëm negativ nga Rusia.
Delegacionet nga Moska dhe Kievi mbajtën tre orë diskutime në Stamboll të martën. Ukraina tha se kishte propozuar të bëhej një shtet neutral në këmbim të garancive të sigurisë.