Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me arrestimin e Nuredin Dumanit, dy ditë më parë në Fier. Panorama.al mëson se pas këqyrjes së telefonit të të riut nga Dibra, hetuesit kanë konstatuar se ai ka përdorur programin “EncroChat” i cili lejon shkëmbimin e mesazheve të koduara që lexohen vetëm nga dhënësi e marrësi dhe më pas fshihen për disa sekonda.
Tri ditë pas arrestimit të Nuredin Dumanit, i cili dyshohet për të paktën shtatë ngjarje të rënda, prokuroria e Elbasanit po shqyrton mundësinë e bashkëpunimit me autoritetet e huaja më qëllim zbërthimin e telefonit të 37-vjeçarit.
Programi “EncroChat” përdoret nga persona me rrezikshmëri të lartë shoqërie apo grupe kriminale më qëllim shmangien e përgjimeve dhe gjurmimin nga organet e policisë. Për këtë arsye nga hetuesit po shikojnë mundësinë e dërgimit të telefonit të Dumanit në Belgjikë ose Itali në mënyrë që specialistët e huaj të rigjenerojnë mesazhet e shkëmbyera nga 37-vjeçari me qëllim zbardhjen e aktivitetit të tij kriminal.
Ndërkohë grupi i hetimit është në pritje të analizës së ADN-së së personit të dyshuar për të paktën 7 ngjarje, e cila po ballafaqohet me provat e gjetura në disa ngjarje kriminale.
NESËR SEANCA PËR MASEN E SIGURISË
Të premten pritet që në spitalin e Traumës të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Nuredin Dumanit i cili ra në pranga në Fier pas atentatit të ndodhur tri ditë më parë në Elbasan ku 37-vjeçari mbeti i plagosur. Për hetuesit ai ende nuk dhënë asnjë detaj për atentatin dhe as për akuzat e ngritura ndaj tij. Hetuesit dyshojnë se Dumani ka pasur njohje të mëparshme me autorët e sulmit dhe se dëshmia e tij do ti ndihmojë në arrestimin e tyre por edhe kapjen e Talo Çelës.