Ish kryeministri Sali Berisha deklaroi një ditë më parë se ka zëra nga grupi ish kryetarit të PD-së, Lulzim Basha se ai është kandidat për President pasi kreut të Shtetit, Ilir Meta, ti mbarojë mandati.
Sipas Berishës kjo është e papranueshme nga opozita.
Lidhur me këtë deklaratë reagoi të shtunën në mesditë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, sipas të cilit çështja do të diskutohet brenda grupit, por jo nga ata që nuk janë pjesë e grupit, duke nënkuptuar Berishën.
Pas deklaratës së Alibeajt ka reaguar edhe Luçiano Boçi, nënkryetar i grupit të PD-së.
Deklarata e Luçiano Boçit
Çështja e zgjedhjes së Presidentit është një çështje thelbësore e shtetit dhe e marrëdhënieve politike midis mazhorancës e opozitës.
Rama mund ta zgjedhë e ta uzurpojë me votat e tij institucionin e fundit të pa rënë në duart e tij, por ai s’mund të ketë mbështetjen e opozitës as dhe t’i shmanget kundërshtisë politike në opinion nga opozita, nëpërmjet gjoja “axhendave parlamentare”.
Askush nuk ka të drejtë të parapërcaktojë individualisht, pavarësisht pozicionit, mënyrat dhe rrugët e reagimit të Partisë Demokratike.
Çdo vendimarrje duhet të jetë kolegjiale.
Së pari ajo i nështrohet diskutimit në Kryesinë e Grupit parlamentar.
Çdo qëndrim apo deklaratë jashtë kësaj vendimmarrje, është krejtësisht individuale dhe si e tillë e pa vlerë.
Deklarata e Enkelejd Alibeajt
Grupi parlamentar i PD nuk ka nisur ende asnjë diskutim për sa i përket cështjes së presidentit të Republikës. Në ditët në vijim, për shkak se mund të jetë ne axhendën parlamentare, do të diskutohet me anëtarët e grupit për këtë cështje. Qendrimet personale të askujt, aq më tepër të atyre që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të PD nuk kanë kurrëfarë lidhje me qendrimin dhe vendimarrjen e grupit parlamentar. Ata që flasin sot për këtë cështje, në fakt, me ndryshimet kushtetuese të 2008, ia kanë mundësuar Edi Ramës ta zgjedhë, thjesht me vetëm votat e tij presidentin e vendit