Pallati i Kulturës në Kamëz ka marrë emrin e ish-policit të vrarë, Artan Cuku, i cili është vlerësuar edhe me titullin “qytetar Nderi” i Kamzës.
Nga sot, Pallati i Kulturës së Bashkisë së Kamzës do të pagëzohet me emrin e nderuar të dëshmorit Artan Cuku.
Artan Cuku u vra në moshën 42-vjeçare, më 8 prill në vitin 2017 në hyrje të pallatit të tij në rrugën e “Kosovarëve”, në Tiranë.
Artan Cuku ka mbajtur poste të rëndësishme ne Policinë e Shtetit ne një karriere 16 vjeçare. 42-vjecari u lirua nga policia në qershor të vitit 2013. Cuku ka qenë më herët zv.Drejtor në Policinë e Tiranës para se të emërohej Drejtor në Vlorë, ndërsa ka punuar edhe si shef krimesh në Tiranë, Shkodër e Fier.
Nga hetimet u provua se Mikel Shallari ekzekutoi Artan Cuku me 5 plumba. Ai ka statusin e dëshmitarit mbrojtur dhe u dënua me 10 vite burg, teksa pranoi të rrëfejë emrin e Bledar Jambellit personi që e pagoi për vrasjen e Cukut. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Jambelli u hakmor për një arrestim që Cuku i bëri në qytetin e Fierit si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012.