Përgjimet që zbuluan korrupsionin në Pikën Kufitare të Morinës në Kukës kanë nxjerrë dhe emra të njohur në pah. Një prej tyre është këngëtarja Zajmina Vasjari, e cila do të kalonte në kufi bashkë me fëmijët, por pa prokurën e bashkëshortit. Në dosjen që ka siguruar Balkanweb Vasjari udhëtonte paraditen e 2 janarit drejt Kosovës, me sa duket për të kaluar pushimet dimërore në një vend malor, teksa nga biseda rezulton se do të kthehej më 4 janar nga Kosova. Personi i regjistruar me emrin “Tani Durrës”, i kërkon Laertit ta kalojë.
DOSJA
Në datë 02.01.2022 ora 10:57 në aplikacionin Ëhatsapp shtetasi i regjistruar me emrin “Tani Durres” i thotë, Laertit Sulos me sms: “…është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty në Morinë po ska procurë Zajmina Vasjari…
Laerti: Kur do kthehet:
Tani: Ja ta pyes… dy ditë datë 4 ka kthim…
Laerti: Ok çfarë makine ka ose jepi nr tim të flas me të……
Tani: “Renxh Rover “AA001UD”…
Laerti: Ok.
Menjëherë më pas ora 11:00 Laert Sulo ja kalon me mesazh targën e automjetit të shtetases si porosi për ta ndihmuar punonjesit të policisë Emilton Asllanaj me detyrë përgjegjës turni në P.K.K Morine duke i thënë:
Laert Sulo: Ndihmoje pak është duke ikur për në Kosovë, duhet ta njohësh Zajmina Vasjari…
Emiltoni: Jepi nr tim.
Nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se shtetasja Zaimina Vasjari ka kryer dalje nga Republika e Shqipërisë në datë 02.02.2022 dhe ka hyrë në datë 04.02.2022, duke kaluar kufirin me mungesë dokumentacioni Prokurore për fëmijet e mitur, duke u favorizuar dhe ndihmuar nga punonjësi i policisë Emilton Asllanaj kundrejt porosisë të marrë nga shefi i stacionit Laert Sulo. Po ashtu, nga verifikimi në sistemin TIMS rezultojnë të regjistruar edhe dy fëmijët e saj të mitur.