Nga Jasmin Mujanović “Newsline Magazine”
Gjatë muajve para rifillimit të agresionit rus në Ukrainë, një tjetër vend evropian dilte vazhdimisht në titujt kryesore të mediave ndërkombëtare, në lidhje me kërcënimet e ripërtërira të një konflikti:Bosnje Hercegovina.
Duke filluar nga vera e vitit të kaluar, autoritetet nacionaliste serbe në entitetin e Republikës Srpska (RS) – një nga dy rajonet administrative brenda Bosnjës, i krijuar pas përfundimit të Luftës së Bosnjës (1992-1995) – nisën përpjekjet e reja për shkëputje pas miratimit të një ligji, që ndëshkon ata që mohojnë gjenocidin dhe krimet e luftës.
Në janar të këtij viti, regjimi i Milorad Dodik dhe partia e tij SNSD në Republikën Srpska, nisi procesin legjislativ të krijimit të institucioneve të shkëputura, ndaj u ndëshkua me një raund tjetër sanksionesh nga ana e SHBA-së. Gjithsesi përpjekjet për të dialoguar me të dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë, madje edhe nga Uashingtoni.
Për më tepër, strukturat e gjera mbështetëse që e kanë mbajtur Dodik në pushtet – nga regjimi në Beograd tek marrëdhëniet e ngrohta me presidentin e Kroacisë – kanë mbetur pothuajse tërësisht të padëmtuara nga radikalizmi i tij. Arsyet për këtë janë pjesërisht të rrënjosura në statusin e brishtë të Bosnjës të pasluftës, sidomos tek kushtetuta e saj sektare, e projektuar nga SHBA.
Por më gjerësisht ato burojnë nga një markë e dëmshme e diplomacisë perëndimore, e cila është e fokusuar tek akomodimi dhe jo tek transformimi. Për pjesën më të madhe të 3 dekadave të fundit, autokratët jo-liberalë dhe prijësit etnikë, kanë qenë bashkëbiseduesit e preferuar të zyrtarëve evropianë dhe amerikanë në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa zyrtarisht ata flasin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO, kritikët e kanë cilësuar si “stabilokraci” qasjen dominuese të politikës perëndimore në rajon:pra ruajtjen me çdo kusht të stabilitetit politik në kurriz të demokratizimit, dhe rrjedhimisht normalizimit dhe madje zgjerimit të lidhjeve politike, ekonomike dhe të sigurisë nga Perëndimi me regjimet jo-liberale dhe autoritare, të cilët janë në gjendje ta “sigurojnë” këtë stabilitet.
Respekti i vazhdueshëm i zyrtarëve amerikanë ndaj presidentit serb Aleksandar Vucic, është një shembull klasik i kësaj qasje. Ndonëse Serbia është i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar hapur të vendosë sanksione ndaj qeverisë ruse, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, dhe ka shpenzuar miliarda për blerjen e armëve ruse, nënsekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland e lavdëroi kohët e fundit Vucic për “mbështetjen e tij për Ukrainën”, si dhe për “angazhimin e tij për stabilitetin rajonal”.
Qeveria e Vucic, është sponsorja kryesore e huaj e aktiviteteve separatiste të Dodik në Bosnje, dhe vlen të përmendet se ai ka treguar një gatishmëri për të treguar muskujt në emër të serbëve jashtë vendit. Për shembull në shtator 2021, Vucic dërgoi autoblindat e ushtrisë dhe avionë luftarakë në kufirin me Kosovën, pas një mosmarrëveshje me Prishtinën në lidhje me targat, sovranitetin e së cilës qeveria e tij ende nuk e njeh.
Për Vucic, apeli ndaj serbëve në Kosovë, është po aq i rëndësishëm sa ai për serbët në Bosnje. Po pse Uashingtoni është kaq i fiksuar pas një qasjeje shumë të butë ndaj një aleateje të njohur të Rusisë (dhe Kinës) në Ballkanin Perëndimor, e cila ka një axhendë politike revanshiste?
Pikërisht sepse Serbia përbën një kërcënim, vendimmarrësit kryesorë në SHBA dhe BE nuk duan të merren me të, dhe besojnë se mund ta “qetësojnë”. Problemi është se kostoja e kësaj qasje, bie në kurriz të aspiratave demokratike të vendeve fqinje si Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi, madje edhe vetë popullsia e Serbisë.
Por Vucic dhe Dodik nuk janë të vetmit që kanë një trajtim të tillë nga diplomatët perëndimorë. Edhe protagonistë të tjerë reaksionarë vendas, kanë parë përfitime nga shantazhi politik, dhe po i përdorin skemat e tyre për të siguruar të njëjtën qasje të butë nga Uashingtoni, Brukseli dhe kryeqytetet e tjera të BE-së.
Një tjetër agjent i tillë pak i njohur, por me shumë ndikim në Bosnje është Dragan Covic, kreu i partisë nacionaliste të kroatëve të Bosnje, HDZ, dhe aleati më i ngushtë politik i Dodik në vend. Dikur i lavdëruar si “një kampion i integrimit evropian” nga përfaqësuesi i BE-së në Sarajevë, Covic ka qenë prej kohësh një nga bashkëbiseduesit e preferuar të Perëndimit në Bosnje.
Ka qenë një rol, të cilin ai e ka luajtur me ndihmën e rëndësishme diplomatike të Zagrebit, një kryeqytet i BE-së dhe NATO-s. Por kriza e Ukrainës e ka zbuluar dyfytyrësinë e tij. Më 24 shkurt, në ditën e parë të luftës Rusi-Ukrainë, Covic shkroi në Twitter:“Si pjesë e familjes së bashkuar evropiane, paqja është angazhim kolektiv dhe i përhershëm i vendit tonë. Me zhvillimet shkatërruese, pushtimin dhe luftën në Ukrainë, ne bëjmë sërish thirrje për një armëpushim urgjent, solidaritet dhe dialog”.
Brenda pak minutash, postimi i tij shkaktoi një mori reagimesh të ashpra në mesin e boshnjakëve, pikëpamja e të cilëve mbi këtë konflikt, është shumë e ndikuar nga përvoja të ngjashme me agresionin e Serbisë kundër Bosnjës në vitet 1990. Ndaj ata e panë si të qëllimshëm mos-përmendjen e Rusisë nga Covic.
Postimi i tij shkaktoi zemërimin edhe tek politikanët evropianë. Tineke Strik, anëtare holandeze e Parlamentit Evropian dhe anëtare e Komitetit të BE-së për Punët e Jashtme, e kritikoi Covic, duke shkruar:“Shumë e turpshme dhe shqetësuese që udhëheqësi i HDZ-së Dragan Covic, nuk është në gjendje të dënojë qartë agresionin e Putinit. Cilido që lëshon deklarata të paqarta në këtë moment, nuk është i interesuar për demokracinë, ligjin ndërkombëtar dhe sigurinë evropiane”.
Më 3 mars, kur Dodik iu referua forcave të armatosura të Ukrainës si “banda të armatosura”, Covid refuzoi ta dënonte atë. Madje në marsin e vitit 2020, duke folur për mediat ruse në Moskë, ai u ankua për “mungesën e ndikimit rus” në Bosnje. Dëshira e Perëndimit për të arritur marrëveshje vetëm për hir të stabilitetit, ka triumfuar mbi përpjekjet për reforma të vërteta, dhe ka fuqizuar shumë figura reaksionare si Covic dhe Dodik.
Pas ngjarjeve në Ukrainë, është bërë shumë për kthesën gjeopolitike të nevojshme të politikës perëndimore ndaj Rusisë. Sanksionet e forta kundër Kremlinit, përfshirë konfiskimet e aseteve, dhe dërgimin e armëve në Ukrainë, sugjerojnë se Perëndimi është fokusuar përfundimisht në marrëdhëniet e tij me Putinin, duke e njohur atë si një kërcënim ekzistencial për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Por testi i vërtetë i qëndrueshmërisë së kësaj kthese, do të matet nga mënyra se si Perëndimi do e rregullon (ose jo) qasjen e tij ndaj zërave më pak të dukshëm në rrjetet e ndikimit të Kremlinit, veçanërisht ata në Ballkanin Perëndimor.
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al