Dy ditë pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-deputeti Aqif Rakipi ka “thyer” heshtjen duke reaguar për herë të parë.
Ai tregon gishtin nga kryedemokrati Lulzim Basha duke e cilësuar këtë një çështje politike. “Lul Basha e ka merakun”, ka deklaruar Rakipi në një reagim për “5 Pyetjet”.
Rakipi shprehet se nuk ka lidhje fare me sanksionet e vendosura nga SHBA-të, ndërsa shton se nuk ka asnjë biznes qoftë në Shqipëri, qoftë në tokën amerikane.
Pjesë nga prononcim i Aqif Rakipit
A keni një koment për sanksionet e SHBA-së?
Nuk kam asnjë koment. As kam lidhje me atë pjesë fare.
A do ta ndiqni në hapa ligjorë?
Do ta shoh. Nuk kam asnjë lloj gjëje nga ata që thuhen. Të shohin a kam llogari bankare në Amerikë, a bëj biznes. Nuk kam biznes këtu dhe jo më andej.
SHBA ju cilëson si “ish-deputet famëkeq”, a do të kërkoni prova, ku bazohet?
Do i shoh.
Nuk do të nisni një proces gjyqësor?
Do të shikoj cfarë do të bëj. Do të interesohem.
A mendoni se është politike?
Po.
Po kë fajësoni?
Lul Basha e ka merakun.
Mendoni se është goditje nga Basha?
As që bëhet llaf.
DEKLARATA E DASH
Aqif Rakipi u sanksionua nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkë me biznesmenin Ylli Ndroqi. SHBA-të e cilësojnë Rakipin një ish-deputet famëkeq të lidhur me krimin e organizuar që ka përdorur ndikimin e tij në politikë për të emëruar miqtë e tij në Tiranë dhe Elbasan.
LARGIMI NGA POLITIKA
Rakipi humbi mandatin e tij të deputetit në vitin 2018, për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Në zgjedhjet e shkuara, në Kuvendin e Shqipërisë u mandatua djali i tij Orlando Rakipi si deputet në zonën e Vorës, i cili për shkak të përcaktimit të babait të tij si non grata, është automatikisht i sanksionuar nga SHBA-të.
Duke folur nga Kuvendi, pak minuta pas shpalljes së vendimit, ai tha se është gati të japë dorëheqjen por mohoi akuzat në adresë të të atit, duke e cilësuar atë si super të pastër.