Edi Rama mund t’i druhet SHBA-ve, Departamentit të Shtetit apo atij të Thesarit, por marrëdhënien speciale e ka me Aqif Rakipin. Sepse Blinkeni s’ka vota, por “Qifja” po.
Të enjtën e kaluar, më 14 prill, Partia Socialiste njoftoi zyrtarisht se do të mbante një qëndrim për çështjen “Aqif Rakipi”… “të martën e ardhshme”. Më në fund, nesër, më datë 19 prill, Partia Socialiste do të mbajë një qëndrim publik për ish-deputetin e PDIU, Aqif Rakipi!
Pyetja fillestare që lind është, kaq e rëndësishme është “çështja Rakipi” sa partisë në pushtet i duhen së paku 6 ditë për të përpunuar një qëndrim politik dhe publik?
Më tej, si shpjegohet që, ndryshe nga raste të tjera, Edi Rama nuk përsëriti klishenë se “përgjegjësia është personale” dhe se ai nuk kishte faj nëse “të tjerëve u merr koka erë”?
Nga çfarë kishte dhe ka frikë Edi Rama sa tregon një kujdes higjenik për të trajtuar publikisht një çështje që fundja, nuk përbën as precedent ndërkombëtar, as precedent kombëtar.
Aqif Rakipi nuk është i pari individ që është shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara. Në datën 11 prill, pra më shumë se një javë më parë, Departamenti i Thesarit vendosi ta fusë në listën e zezë së bashku me pronarin e mediave, Ylli Ndroqin.
Më herët, SHBA kanë shpallur të padëshirueshëm Sali Berishën, por edhe Tom Doshin, Vangjush Dakon dhe Adriatik Llallën.
Por, nëse për të tjerët, PS ka reaguar menjëherë duke përkrahur vendimin e SHBA, në rastin e “Qifes”, askush nuk hap gojë.
Jo vetëm Rama si kryetar partie e Balla si kryetar grupi, por as “deputeti guximtar”, Erjon Braçe nuk mbajti një qëndrim dhe foli me “arra në gojë”.
“Na është thënë mos komentoni deri në mbledhjen e grupit”, tha deputeti Erjon Braçe, ndërsa shtoi: “po e presim këtë mbledhje për të diskutuar, pasi këtu duket se ka çeduar sistemi”.
Po pra, “ka çeduar sistemi”. Një frazë brilante për të mos thënë asgjë.
Ministrat Blendi Çuçi dhe Ulsi Manja thanë se PS-ja nuk i komenton qëndrimet që vijnë nga SHBA. Të dy thanë se po presin qëndrimin e përbashkët të grupit se si do të trajtojnë çështjen “Rakipi” dhe raportin me dy deputetët që kanë fituar mandatin me mbështetjen e tij.
Deputeti Eduart Shalsi mohoi që PS-ja të ishte pa një qëndrim për këtë çështje. “Ka Partia qëndrim, atë qëndrim që kemi mbajtur dhe herë të tjera për këto raste,” tha Shalsi.
S’është e vështirë për ta kuptuar. Janë të gjithë të terrorizuar.
Si shpjegohet ky hezitim?
Dikush mund të shpejtohet dhe të thotë që kanë frikë nga Aqif Rakipi. Por, kjo nuk është e vërtetë. Dukshëm, të gjithë kanë frikë nga Edi Rama.
Përse?
Përgjigja qëndron tek marrëdhënia speciale që ka Edi Rama me Aqif Rakipin. Kjo nuk është një marrëdhënie ideologjike apo politike, por një raport interesi i ndërsjellë “më jep, të jap”.
Lidhja e këtij raporti interesash e ka karakterizuar politikëbërjen e Edi Ramës gjatë viteve të fundit.
Atij i duhen njerëz që mbledhin vota për pushtetin e tij personal, pavarësisht nëse ky pushtet kalon nëpërmjet partisë politike që ai drejton apo jashtë saj.
Për Ramën, partia është instrumenti që e sjell atë vetë në pushtet.
Pra, nuk është Rama në funksion të PS-së, nuk është ai që duhet të punojë dhe të lodhet për zbatimin e programin dhe premtimeve të partisë së tij. Por, janë gjithë të tjerët, instrumentat që duhen përdorur për ta mbajtur atë personalisht kryeministër.
Në këtë kuptim, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko apo Mimi Kodheli janë të parëndësishëm për të. Këta 3 figura që u lanë në bisht të listës së kandidatëve, përfaqësojnë strukturalisht dhe ideologjikisht Partinë Socialiste.
Por, Ramës aq i bën.
Asnjë prej tyre nuk sjell aq vota sa Ornaldo Rakipi, djali i ish-deputetit të PDIU.
Aqif Rakipi në mënyrë indirekte i dha rreth 30 mijë vota Edi Ramës në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Këto vota mund të kenë rezultuar vendimtare në fitimin e mandatit të tretë qeverisës të kryeministrit. Djali i Rakipit, Ornaldo Rakipi u zgjodh deputet me rreth 16 mijë vota në Tiranë, ndërkohë që i afërmi i Rakipit, Saimir Hasalla mori mbi 11.500 vota në Elbasan.
Edi Rama ka një raport interesi personal me Aqif Rakipin. Ai e ka të vështirë të mbajë një qëndrim të fortë politik kundër tij, sepse mendon se do t’i duhet në të ardhmen. Në rrugëtimin e ambicies së shfrenuar për mandatin e katërt, ish-deputeti i PDIU dhe të tjerë si ai, janë faktorë ndihmues në mos vendimtarë për pushtetin personal të Edi Ramës.
Ja pse ai e ka të vështirë të sulmojë publikisht Aqif Rakipin. Me gjasë, ai do të mbajë nesër një qëndrim përgjithësues që, edhe SHBA-në të mos e mërzisë, por edhe me “Qifen” të mos prishet përfundimisht.
Në filmin biografik për ish-kryeministrin italian, Xhulio Andreoti është një episod ku vetë patriariku i politikës italiane, thotë: Kur të tjerët shkojnë në kishë, flasin me Zotin. Unë flas me priftin. Sepse Zoti nuk voton, por prifti po.
Parë me këtë sy, Edi Rama mund t’i druhet SHBA-ve, Departamentit të Shtetit apo atij të Thesarit, por marrëdhënien e mban me Aqif Rakipin. Sepse Blinkeni s’ka vota, por “Qifja” po.