Ish-Presidenti rus Dmitry Medvedev përmendi sot “kriminalitetin shqiptar” duke iu referuar krizës që po shkakton lufta ruse në Ukrainë.
“Mungesa e furnizimeve në dyqane dhe kriza e re e migracionit do të provokojë një valë kriminaliteti më të keqe e më të dhunshme se ajo shqiptare”, tha Medvedev.
Deklarata e tij shkaktoi jo pak habi. Në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu e konsideroi të paimagjinueshme këtë deklaratë duke thënë se mafia ruse është më famëkeqja në botë.
Blendi Fevziu: Para se të filloj debatin në studio për këtë çështje ishte një deklaratë sot që më bëri përshtypje. Një nga njerëzit më të rëndësishëm të Rusisë sot në agresion ndaj Ukrainës, ish-Presidenti Medvedev ka bërë këtë deklaratë ku përmend shqiptarët. Është e pabesueshme se si Shqipëria përfshihet vazhdimisht në deklaratat e Kremlinit dhe është përmendur edhe më parë. Është e pashembullt të përcaktosh kriminalitetin shqiptar si më të dhunshmin dhe më të keqin në Europë, aq më tepër nga përfaqësuesi i një vendi që ka mafian më të keqe ndoshta të shpërndarë në botë, është e paimagjinueshme.
Preç Zogaj: Në tërësi gjithë deklaratat e Medvedev nuk janë për t’u marrë kaq shumë në konsideratë. Kjo është një mit që është krijuar dhe këtë e marrin dhe e qarkullojnë kudo, ngado që shkojnë. /tvklan.al