Departamenti Amerikan i Shtetit po shqyrton mundësinë për ta cilësuar Rusinë si një shtet terrorist dhe sponsorizues i tij. Sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane, Departamenti i Shtetit po shikon çdo mjet për ta cilësuar Rusinë si përgjegjëse për luftën në Ukrainë, duke përfshirë mundësinë e etiketimit të Moskës si sponsor shtetëror i terrorizmit
Procesi mund të zgjasë disa javë përpara se të merret një vendim. “Ne jemi duke i parë nga afër faktet. Ne po e shqyrtojmë nga afër ligjin. Pavarësisht nëse është ky autoritet, nëse është ndonjë autoritet tjetër i disponueshëm ne do të zbatojmë atë nëse është efektiv dhe i përshtatshëm”, u shpreh Ned Price për CNN.
Sipas Departamentit të Shtetit, përkufizimi i një shteti sponsorizues të terrorizmit është një vend që “ka ofruar në mënyrë të përsëritur mbështetje për aktet e terrorizmit ndërkombëtar”.
Janë vetëm katër vende që aktualisht etiketohen si sponsorë shtetërorë të terrorizmit nga SHBA: Koreja e Veriut, Irani, Kuba dhe Siria.
Ndërkaq, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi presidentit amerikan Biden gjatë një bisede telefonike ta përcaktojë Rusinë, si shtet që sponsorizon terrorizmin.