Rusia ka shumë gjasa të dojë të tregojë suksese të rëndësishme përpara festimeve të përvitshme të tyre në Ditën e Fitores, që kremtohet më 9 maj dhe kjo mund të ndikojë se sa shpejt dhe me forcë ata përpiqen të kryejnë operacione ushtarake në Ukrainë në prag të kësaj date, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Dita e Fitores kremton fitoren ndaj Gjermanisë naziste dhe shënon një festë të madhe çdo vit në Rusi.
Forcat ruse tani po përparojnë në Donbas si pjesë e një ofensive të ripërtërirë pasi nuk arritën të marrin Kievin.
Forcat ushtarake të Moskës po lëvizin drejt qytetit të Kramatorsk, “i cili vazhdon të vuajë nga sulmet e vazhdueshme me raketa”, thotë Ministria e Mbrojtjes britanike në përditësimin e saj nga shërbimet e inteligjencës.
“Nivelet e larta të aktivitetit ajror rus vazhdojnë teksa Rusia kërkon të ofrojë mbështetje të afërt ajrore për ofensivën e saj në Ukrainën lindore, për të shtypur dhe shkatërruar aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
BBC shkruan gjithashtu se sot, në ditën e 57-të të luftës, ushtria ukrainase tha se trupat ruse po planifikonin të “mobilizonin me forcë” popullsinë lokale në qytetin jugor të Khersonit.