Në cilësinë e kryetares së Komisionit për Integrimin, Jorida Tabaku ka folur jashtë Kuvendit duke theksuar se Shqipëria nuk duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut.
Tabaku u shpreh se Shqipëria e penalizoi Maqedoninë e Veriut pak vite më parë dhe sot i takon Shqipërisë të presë.
“Jemi në një fazë paraprake. Jemi në mbajtjen e konferencës së parë. Qeveria shqiptare është e paangazhuar. Nuk ka marrë masa t’i përgjigjet ashtu si duhet këtij procesi. Nuk mendoj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë të ndara.
Shqipëria pak vite më parë penalizoi Maqedoninë. Sot i takon Shqipërisë të presë. Ndarja e Malit të Zi bëri që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mbeteshin pas. Nuk i takon opozitës të hartojë legjislacion. I takon të ngrejë zërin në Kuvend. Jam përpjekur të ftoj shoqërinë civile në debat”, deklaroi Tabaku.
Ajo u shpreh se PD duhet të dorëzojë sa më parë emrat për anëtarët në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe asaj territoriale.
“Për mua nuk ka debat më të rëndësishëm se ai që duhet të ndodhë për zgjedhjet. Raporti i OSBE e përcakton qartë pozicionin që duhet të marrë Shqipëria. Mendoj që Partia Demokratike duhet t’i depozitojë menjëherë anëtarët për Komisionin e reformave zgjedhore dhe territoriale”, tha ajo.