I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Ndihmës Sekretarja e SHBA-së, Karen Donfried do të zhvillojnë sot një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Sipas kryeministrisë së Kosovës, takimi do të zhvillohet në orën 18:00. Sipas axhendës së publikuar nga DASH, strehimi i afganëve dhe ukrainasve do të jetë në fokus të këtij takimi.
“Donfried do ta falënderojë Kosovën për strehimin e afganëve dhe ukrainasve, do të inkurajojë punën në reformat për konsolidimin demokratik dhe integrimin në institucionet europiane dhe euroatlantike dhe do t’i shqyrtojë perspektivat për përparim në dialogun e mbështetur nga SHBA-ja, e të lehtësuar nga BE-ja, me Serbinë, drejt një marrëveshjeje për marrëdhënie të normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke” – thuhet në njoftimin e DASH.
Pas Kosovës, ajo do të vizitojë Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Disa ditë më parë, tre senatorë amerikanë vizituan Kosovën teksa shprehën mbështetjen e SHBA-së për proceset euroatlantike.