Një tjetër kryeministër shqiptar në Ballkan. Dritan Abazoviç ka marrë sot drejtimin e qeverisë së re të Malit të Zi, dy ministra të së cilës janë shqiptarë.
Kush e përbën Qeverinë e pakicës?
Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.
Abazoviqi ka mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
Ai, po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, por pa pjesëmarrjen e saj.
Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë Qeverinë e re.
URA e Abazoviqit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiqin.
Ministria e Çështjeve Evropiane udhëhiqet nga Jovana Maroviq, e cila është zgjedhur edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s.
Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviq, udhëheq gjashtë ministri. Jokoviq do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiq, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale. Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviqin.
Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore.
Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.
Iniciativa Qytetare Kroate – subjekt jashtëparlamentar – ka marrë postin e ministrit pa portofol, i cili udhëhiqet nga Adrijan Vuksanoviq.
Personalitete jopartiake në kabinetin e Avbazoviqit janë Bilana Shqepanoviq në Ministrinë e Shkencës dhe Masha Vllaoviq në Ministrinë e Kulturës dhe Medias.
Zgjedhjes së Qeverisë së re të pakicës i ka paraprirë zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviq, nga Partia Popullore Socialiste.
Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i këtij vendi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, më 4 shkurt.
Tre ditë më vonë, më 7 shkurt, është shkarkuar edhe kryetari i Kuvendit, Alleksa Beçiq, udhëheqës i Demokratëve.
Qeveria e Krivokapiqit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA.
Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në e Gjukanoviqit në opozitë pas tri dekadash.
Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime.