Për deputeten e opozitës, Mesila Doda opozita nuk duhet të bojkotojë procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës. E ftuar në Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Doda theksoi se kreu i shtetit duhet të zgjidhet me shumicë të cilësuar, i pranuar nga të gjitha palët. Deputetja shton se situata e brendshme në Partinë Demokratike vështirëson negociatat e opozitës në tryezën e bisedimeve që pritet të nisin.
“Është shumë pak e rëndësishme ora dhe vendi ku do të mblidhen kryetaret e grupeve parlamentare. Po flasim për një moment që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duhet të zgjidhet me shumicë të cilësuar. Duke kaluar më së pari në cilësitë që duhet të ketë presidenti, frymën që i ka dhënë kushtetuta këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Më shqetëson shumë mënyra për ta bërë qesharake edhe zgjedhjen e presidentit. këtu duhet të kemi një reflektim nga të gjitha forcat politike. Duhet të ulen dhe të vendosin kriteret. Deri tani nuk kemi parë negociata. Duhet të shikojmë cilat janë kriteret. Ka patur shumë formula herët e kaluara. Opozita duhet të ketë vendi e saj dhe të thotë fjalën e saj.
Është gjendja brenda PD që nuk po shkon drejt fundit. Deri tani Rithemelimi ka marrë selinë, por ende nga në pjesë që mesa duket është minoranca, pata idenë se duhet të negocionim, u zgjat dhe u çua një gjykata. Tani kemi akoma një kalvar. Duhet që forcat politike të jenë të përfaqësuar në tavolinë. Të gjithë bashkë të zgjedhim një figurë të nderuar”, tha ajo.
Doda shtoi më tej se duhet të përcaktohen kriteret për presidentin e ri. Deputetja thotë se e shqetëson fakti që maxhoranca po përpiqet të bëjë një proces farsë. Sipas saj, kreu i ri i shtetit duhet të jetë patjetër politik.
“Ne do të marrim pjesë. Ajo që më shqetëson më së tepërmi janë kriteret që duhen vendosur në këtë proces. Duhet të ketë një mbështetje të gjerë presidenti i ardhshëm. Unë e mbaj mend se kur dhe si u ndryshua zgjedhja e presidentit dhe u pa si mënyrë që të mos prodhonte kriza të shkrirjes së parlamentit. Më shqetëson fakti se po mundohemi të bëjmë një proces farsë. Të gjithë bashkë duhet të prodhojmë një institucion që të ketë mbështetje. Ka shumë njerëz dhe nga e majta dhe nga e djathta. Presidenti i ardhshëm duhet të jetë patjetër politik”, u shpreh Doda.