Mes thashethemeve për shëndetin e tij të dobët, një video që tregon dridhjen e dorës së Vladimir Putin teksa ai përshëndet liderin e Bjellorusisë u rishfaq këtë javë.
Videoja, e cila thuhet se u filmua pak para fillimit të agresionit rus të Ukrainës në shkurt, e tregoi atë duke “u mbajtur në karrige” si dhe duke e mbajtur dorën në gjoks për të ndaluar atë të dridhej ndërsa përshëndetej me Aleksandër Lukashenkon
Kjo nxiti spekulime të mëtejshme për gjendjen e tij shëndetësore pasi pamjet dhe imazhet u shfaqën që tregonin fytyrën e tij të fryrë dhe qëndrimin jo të drejtë.
Por, siç shkruan Daily Mail, skenat e “vështirësive të dukshme” të Putinit të kujtojnë një video që tregonte gjendjen e dobët të shëndetit të Adolf Hitlerit, ndërsa Gjermania përballej me humbjen totale në Luftën e Dytë Botërore.
Në atë që ishte një nga herët e fundit që diktatori u pa i gjallë jashtë bunkerit të tij në Berlin, një video propagandistike e filmuar në prill 1945 e shfaqte atë duke dekoruar anëtarët e Rinisë Hitleriane që ishin thirrur për të mbrojtur Berlinin.
Filmimi duket se tregonte se si Hitleri ishte ende në komandë, edhe kur trupat e Bashkimit Sovjetik po futeshin në kryeqytet.
Videoja, e cila u zbulua në një laborator filmi në Gjermaninë Lindore në vitet 1970, tregoi dorën e majtë të liderit nazist duke u dridhur teksa ai e mbante pas shpine ndërsa përshëndeste oficerët ushtarakë gjatë të njëjtit udhëtim jashtë bunkerit të tij.
Shumë historianë dhe ekspertë besojnë se Hitleri vuante nga sëmundja e Parkinsonit në kohën kur u filmua videoja.