Bllokimi i njërit prej akseve të kalimit në rrugën e Rinasit ka ngjallur pakënaqësi te disa qytetarë, të cilët janë ngritur për të protestuar.
Banorët kanë bllokuar aksin rrugor për në drejtim të Rinasit dhe janë përplasur me policinë pas vendimit se qarkullimi drejt Aeroportit do të realizohej me një sens lëvizje, me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Bllokimi i njërit prej akseve të lëvizjes solli trafik të rënduar me radhë të gjata automjetesh, duke penalizuar banorët e zonës së Rinasit.
Ata kanë ngritur shqetësimin se vetëm për disa metra furgonët e shkollave duhet të përshkojnë një rrugë të gjatë, e po ashtu probleme krijohen dhe në lëvizjen e tyre të përditshme. Ndërkohë me rritjen e karburanteve atyre u rritet dhe kostoja e udhëtimit.
“Protestojmë se na kanë izoluar, na kanë bllokuar në shtëpi. Fshati Rinas është i bllokuar komplet s’kemi asnjë rrugë tjetër për të shkuar në varreza, në shkolla.”- tha njëri prej banorëve.
Ata kërkojnë zgjidhje të problemit, në të kundërt paralajmërojnë përshkallëzim të protestave.
“Nëse nuk hiqen tabelat, këtu do të jemi çdo ditë. Do ta bllokojmë aeroportin totalisht”, tha një prej tyre.