Një tjetër urban në kryeqytet është përfshirë në një aksident paraditen e kësaj të hëne. Bëhet fjalë për autobusin e linjës Qyteti Studenti, i cili është përplasur me stacionin në afërsi të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
Siç shihet dhe nga pamjet e mësipërme, xhami i parë i autobusit është shkatërruar plotësisht në anën e djathtë.
Xhamat shihen dhe përtokë në pjesën e pritjes së pasagjerëve, ku autobusi është përplasur me strehën e stacionit. Ndërkohë që nuk dihen ende shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Policia njofton se nga ngjarja nuk ka patur persona të lënduar që ndodheshin në stacion apo të atyre që ndodheshin brenda në urban.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 02.05.2022, rreth orës 13:00, në bulevardin “Zogu I”, shtetasi D. Sh., duke drejtuar autobusin e linjës së Qytet Studenti, dyshohet se është përplasur me mbulesën e vendqëndrimit të stacionit të autobusit.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Kujtojmë se ky aksident është i dytë brenda pak kohësh në radhët e linjave të urbanëve, ku vetëm 4 ditë më parë një tjetër urban i linjës së Unazës përfundoi në lumin Lanë, pas përplasjes me një automjet.