Këngëtarja Fjolla Morina është arrestuar sërish ditën e sotme në Prishtinë. Sipas mediave kosovare, ajo është ndaluar nga policia vendase në rrugën “Ahmet Krasniqi” në kryeqytet.
Ndërkohë, avokati i këngëtares, Fanol Krasniqi është shprehur për mediat se ajo vetëm është shoqëruar në polici.
“Fjolla Morina nuk është arrestuar, ajo është shoqëruar në stacionin policor. Një zyre e bashkëpunimit juridik në Kosovë, nuk e ka shfuqizu urdhëresën e gjykatës e cila e ka refuzu ekstradimin, tash po presim njoftimin, Fjolla nuk është e arrestume”, ka thënë Krasniqi për Paparacin.
Këngëtarja Fjolla Morina ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi u arrestua më shumë se një vit më parë nga autoritetet shqiptare në kufi me një armë zjarri pa leje.
Mbi këngëtaren kosovare, rëndon akuza e trafikut të municioneve dhe armëve në Shqipëri. Ajo ishte shpallur në kërkim më datë 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burg.
Arrestimi i Fjolla Morinës u bë në shtator të vitit të 2020, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku këngëtares iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë. Ajo është justifikuar përballë oficerit të Krimeve se i ndërronte çantat e dorës shpeshherë dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj.
Bashkë me Morinën ishte arrestuar edhe biznesmeni Fisnik Syla, me të cilin këngëtarja u martua gjatë kohës kur po kërkohej nga INTERPOL-i.